back to top
23.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitet"Nuk po hetohet për korrupsion”/ Rama mbron Ballukun edhe jashtë kufijve

“Nuk po hetohet për korrupsion”/ Rama mbron Ballukun edhe jashtë kufijve

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku përballë akuzave dhe debatit publik lidhur me çështjen e hetimeve për një procedurë prokurimi publik, duke deklaruar se ndaj saj nuk ka asnjë akuzë për korrupsion.

Në një intervistë për median estoneze “Postimees”, gjatë konferencës “Lennart Meri”, Rama tha se pretendimet për përfshirjen e Ballukut në korrupsion janë të pasakta dhe sqaroi se çështja lidhet me dyshime për keqmenaxhim në prokurim publik.

“Së pari, ky nuk është një rast korrupsioni. Prokuroria nuk po e akuzon atë për korrupsion. Ky është keqmenaxhim i prokurimit publik, që është larg korrupsionit sipas Kodit Penal”, deklaroi Rama.

Kryeministri mbrojti edhe votën e shumicës socialiste kundër heqjes së lirisë së Ballukut, duke theksuar se në Shqipëri nuk ekziston imuniteti ndaj hetimit.

“Sido që të jetë, kushdo mund të hetohet. Parlamenti vendos vetëm për kufizimin e lirisë. Nuk menduam dhe ende nuk mendoj se duhej kufizuar liria e dikujt vetëm mbi bazën e dyshimeve për diçka që nuk është korrupsion”, u shpreh ai.

Gjatë intervistës, Rama foli edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

Ai kritikoi gjithashtu ritmin e vendimmarrjes në BE dhe përdorimin e vetos, duke theksuar se një union më i madh nuk mund të funksionojë me kaq shumë vende që kanë të drejtë bllokimi.

Në politikën e jashtme, Rama tha se Europa ka gabuar duke ia lënë SHBA-së negociatat dhe komunikimin me Rusinë.

“Ishte gabim t’ia linim udhëheqjen e këtij konfrontimi dhe bisedave vetëm Shteteve të Bashkuara. Europa nuk mund të delegojë ekzistencën dhe pozicionin e saj në botë”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Ai shtoi se, pavarësisht mbështetjes për Ukrainën, Europa duhet të vazhdojë komunikimin diplomatik me Rusinë, pasi sipas tij “Rusia nuk do të shkojë askund”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat