Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK ndaj grupit të njohur si “Bajrat”, ku sërish evidentohet përfshirja e personave me uniformë policie në shoqëri me eksponentë të botës së krimit.
Pas sekuestrimit të telefonit celular të Izmir Sakicës, hetuesit kanë gjetur foto dhe video ku shfaqen armë të kalibrave të ndryshëm, si edhe persona duke kryer qitje me armë zjarri.
Në materialet e administruara nga SPAK, bie në sy edhe prania e një personi që fillimisht në dosje është referuar si “i paidentifikuar”, por që më pas është identifikuar si Mikel Kodra, efektiv i Patrullës së Përgjithshme në Malësinë e Madhe.
Sipas burimeve hetimore, Kodra shfaqet në foto së bashku me Izmir Sakicën, ndërsa pas identifikimit të tij është thirrur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), por nuk është paraqitur.
Gjithashtu, kontrollet e ushtruara në banesën e tij nuk kanë dhënë rezultat, pasi efektivi nuk është gjetur. Mësohet se pas publikimit të dosjes së SPAK, Mikel Kodra nuk është paraqitur më në detyrë dhe ka fikur telefonin celular.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ndaj tij ka nisur një procedim, që po ndiqet nga Prokuroria e Posaçme.
Mikel Kodra rezulton të jetë nipi i Prek Kodrës, person në kërkim dhe i njohur si “snajperisti” i grupit të Suel Çela.
Sipas SPAK, Prek Kodra dyshohet se ishte pjesë e planit për eliminimin e Ardjan Çapja.
Dosja e “Bajrave” vijon të zbulojë lidhje dhe kontakte të dyshuara mes efektivëve të policisë dhe grupeve kriminale, ndërsa hetimet e SPAK janë ende në zhvillim.




