Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i është drejtuar me një shkresë Ministrisë së Financave lidhur me bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sadushi kërkon ndërhyrjen e ministrisë për zgjidhjen e situatës dhe, mbi të gjitha, zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave mujore të gjyqtarëve.
Në shkresën drejtuar Ministrisë së Financave, kreu i Gjykatës së Lartë kërkon që pagat të vijojnë të ekzekutohen sipas formulës së re të përcaktuar në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Konkretisht, Sadushi kërkon:
- Zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave mujore të gjyqtarëve;
- Ekzekutimin, nga 1 gushti 2026 e në vijim, të pagës referuese bazë, të përllogaritur sipas vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit nr. 435/2026 të KLGJ-së;
- Alokimin e fondeve shtesë, nëse rezultojnë të nevojshme për pagesat korrente;
- Trajtimin e diferencave të pagave për periudhën 1 prill 2023–31 korrik 2026, pa i përdorur këto diferenca si arsye për bllokimin e pagave mujore.
Situata u krijua pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan pagën e re referuese për gjyqtarët dhe prokurorët, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Më 26 gusht, KLGJ vendosi rritjen e pagës referuese bazë në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë, ndërsa parashikoi edhe 14 mijë lekë shtesë për nivelin e kualifikimit.
Dy ditë më vonë, më 28 gusht, të njëjtën rrugë ndoqi edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke përcaktuar pagën referuese për prokurorët.
Vendimet u morën pasi deri më 31 korrik Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re pagash, pavarësisht detyrimit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, zbatimi i pagave të reja është përplasur me ekzekutimin financiar. Pagat e gushtit për magjistratët janë bllokuar në Thesarin e Shtetit, ndërsa shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kërkuar ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e tyre.
Në këtë situatë, kreu i Gjykatës së Lartë kërkon që pagat mujore të mos mbahen peng nga çështja e diferencave financiare për vitet e mëparshme dhe që pagesat të vijojnë normalisht sipas përcaktimeve të reja.



