back to top
29.4 C
Tirana
E shtunë, 11 Korrik, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaResorti i Kushner në hetim?/ SPAK ngre dyshime për tokën

Resorti i Kushner në hetim?/ SPAK ngre dyshime për tokën

Një biznesmen shqiptar me banim në Miami, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për dyshime për pastrim parash të dyshuara si të ardhura nga trafiku i drogës, akuzohet gjithashtu për falsifikim dokumentesh pronësie mbi tokën ku është planifikuar ndërtimi i një resorti shumë miliardë dollarësh të mbështetur nga Jared Kushner.

Kështu shkruan agjencia ndërkombëtare Reuters, e cila raporton se ka shqyrtuar dokumente të dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Sipas SPAK, bëhet fjalë për biznesmenin Artur Shehu, i cili dyshohet se, së bashku me persona të tjerë, ka trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve europiane dhe më pas ka pastruar të ardhurat përmes investimeve në pasuri të paluajtshme. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se në këto transaksione janë përdorur dokumente të falsifikuara pronësie.

Avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se klienti i tij nuk ka lidhje me trafikun e drogës dhe as me falsifikimin e dokumenteve. Ai ka konfirmuar se ndaj biznesmenit është lëshuar urdhër arresti nga SPAK për akuzën e pastrimit të parave, por sipas tij pretendimet e ngritura janë të pavërteta.

Sipas Reuters, në muajin prill të këtij viti Artur Shehu ka shitur tokën bregdetare në zonën e Zvërnecit te kompania Albania Land Development, e lidhur me zhvilluesit e projektit Sazan Real Estate Development dhe investitorë të tjerë që mbështesin projektin ku është përfshirë edhe Jared Kushner.

Në dokumentet e SPAK thuhet se ekzistojnë “dyshime të arsyeshme” se disa prona janë siguruar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.

Megjithatë, hetimi nuk përfshin akuza ndaj Jared Kushner, kompanisë Sazan Real Estate Development, Albania Land Development apo investitorëve të tjerë të projektit. Reuters thekson se nuk ka gjetur prova që këta investitorë të kenë qenë në dijeni të dyshimeve ndaj Shehut në momentin e blerjes së tokës.

Një përfaqësues i Sazan Real Estate Development ka deklaruar për Reuters se kompania beson se blerja e tokës është kryer në mënyrë të ligjshme dhe sipas procedurave në fuqi, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo proces ligjor.

Konflikti për pronësinë në Zvërnec

Projekti turistik në zonën e Zvërnecit është shoqëruar prej vitesh me debate për pronësinë e tokës. Disa banorë të zonës pretendojnë se janë pronarët e ligjshëm dhe se kanë zhvilluar procese gjyqësore me Artur Shehun prej më shumë se një dekade.

Sipas Reuters, disa prej tyre kanë paraqitur dokumente pronësie dhe regjistra tatimorë që, sipas pretendimeve të tyre, provojnë të drejtat mbi pronën. Avokati i tyre, Kostandin Beko, ka deklaruar se çështja vijon të jetë në gjykatë dhe se do të kërkohet pezullimi i projektit.

Qeveria: Projekti do të vijojë

Qeveria shqiptare ka mbështetur publikisht projektin turistik në Zvërnec. Kryeministri Edi Rama është shprehur se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm dhe se projekti do të vijojë pavarësisht kundërshtimeve.

Një zëdhënës i qeverisë ka deklaruar se ekzekutivi nuk ndërhyn në transaksionet private, por ka theksuar se projekti po zhvillohet në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet europiane.

Dosja e SPAK

Reuters raporton se dosja hetimore e SPAK për Artur Shehun përmban rreth 200 faqe dhe mban datën 12 qershor 2026, ditë kur Prokuroria e Posaçme njoftoi lëshimin e 20 urdhër-arresteve për çështje që lidhen me trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Sipas dokumenteve hetimore, toka është shitur për rreth 110 milionë euro, shumë e cila, sipas SPAK, është bllokuar në llogarinë e noterit dhe nuk është transferuar te biznesmeni.

Avokati Kujtim Cakrani ka deklaruar se familja e Artur Shehut e zotëron tokën prej kohës së Perandorisë Osmane dhe se shitja është kryer në mënyrë të rregullt. Ai ka shtuar se klienti i tij emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1998 pas ngjarjeve të rënda familjare, pretendime të cilat Reuters thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat