Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Nga Dafina Hysa
Kush mendon se kjo revoltë shuhet me një premtim apo një marrëveshje, nuk ka kuptuar asgjë.
Qytetarët janë lodhur dhe zhgënjyer prej vitesh.
Qeveria flet për suksesin e ekonomisë në makro, por qytetari nuk jeton me statistika.
40% e shpenzimeve familjare shkojnë për nevojat bazike ushqimore, teksa në BE llogaritet në 10% të buxhetit total.
Por këtu nuk përfshihen të punësuarit me paga minimale, kategoritë e mbrojtjes sociale apo pensionistët. Këta të fundit nuk e mbyllin dot muajin, pa ndihmën e të afërmve në emigrim, apo lista borxhesh në dyqane.
Në Tiranë, një apartament kushton sa rreth 18 vite të ardhura të plota. Nëse kursen 1/5 e pagës, të duhen nga 5-8 dekada për ta blerë atë.
Arsimi ka humbur fuqinë për të garantuar të ardhmen. Në PISA, rezultatet e nxënësve shqiptarë ndër vite kanë pësuar rënie tē ndjeshme.
Diploma edhe kur është europiane nuk të garanton punë, pasi meritën e zëvendësojnë lidhjet dhe militantizmi politik.
Situata bëhet më e rëndë, nga denoncimet se pushteti përdoret për të poshtëruar gratë e vajzat, të cilave u kërkohen favore seksuale në këmbim të një vendi pune.
Po shëndetësia falas?
Pothuajse gjysma e faturës bie mbi shpatullat e familjeve.
48,27% e shpenzimeve shëndetësore paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët.
Lista do të vazhdonte shumë e gjatë…
Ndaj kjo revoltë është grumbullimi i viteve të padrejtësisë, frikës dhe zhgënjimit. Edhe pse qeveria reklamon hapje dhe mbyllje kapitujsh me Bashkimin Europian, sot premtimet nuk mjaftojnë, kërkohet llogari.



