Bordi i Transparencës ka vendosur sërish ndryshimin e çmimeve të karburanteve në tregun vendas, duke reflektuar një ulje të lehtë si për naftën ashtu edhe për benzinën.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i naftës për konsumatorët do të jetë 203 lekë për litër, nga 206 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, benzina do të shitet me 180 lekë për litër, duke shënuar një ulje të lehtë nga 181 lekë.
Vendimi hyn në fuqi sot, më 29 prill, në orën 11:30 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku pritet të rishikohen sërish çmimet në bazë të zhvillimeve të tregut.
Në detaje, Bordi ka përcaktuar:
Çmimi me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 të mos jetë më shumë se 203 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 191 lekë/litër.
Çmimi me pakicë i benzinës të mos jetë më shumë se 180 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër.
Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve të tregut që të zbatojnë këtë vendim, duke paralajmëruar masa të forta në rast shkeljesh, deri në pezullim të aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe atë të Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, në rast se çmimet e karburanteve tejkalojnë 220 lekë/litër për naftën dhe 200 lekë/litër për benzinën, aplikohet një ulje e akcizës në nivelin 80%. Aktualisht, çmimet janë nën këtë prag, ndaj akciza do të vazhdojë të aplikohet në nivelin e plotë, 100%.



