Dhjetëra shqiptarë janë mbledhur në Bruksel, pranë institucioneve të Bashkimit Europian, për të protestuar në mbështetje të protestës anti-qeveritare që ka shpërthyer në Tiranë pas incidentit të ndodhur një javë më parë, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga rojat private të sigurisë së kompanisë që planifikon të investojë mbi 4 miliardë euro për zhvillimin e zonës.
Në pamjet e publikuara nga protesta në kryeqytetin belg, shihen qytetarë të grupmoshave të ndryshme, përfshirë familje me fëmijë, të cilët mbanin flamuj kuqezi dhe pankarta me mesazhe mbështetëse për protestën.
Tubimi në Bruksel vjen në një kohë kur reagimet dhe mobilizimi i shqiptarëve janë zgjeruar përtej kufijve të vendit. Përveç Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, protesta dhe tubime solidarizuese janë zhvilluar edhe në disa shtete europiane dhe vende të tjera ku jetojnë e punojnë komunitete shqiptare.
Protestuesit kanë kërkuar më shumë transparencë lidhur me projektin e investimit dhe kanë shprehur kundërshtimin ndaj mënyrës së menaxhimit të situatës që çoi në përplasjet e javës së kaluar.



