Nga Lutfi Dervishi
Dy vjet më parë, në shtator 2024, gazeta New York Times shkroi se në Tiranë do të krijohej Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi, një mikro-shtet i modeluar, të paktën në koncept, sipas Vatikanit dy mijë vjeçar, pavarësisht se nuk ka kurrefare afersie apo ngjashmërie me të.
Një ditë më pas, kryeministri Edi Rama e konfirmoi publikisht projektin nga foltorja e Kombeve të Bashkuara, duke e paraqitur si një qendër të re të moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.
Ideja ishte që territori i Kryegjyshatës Botërore në Tiranë të fitonte sovranitet, me kufijtë, administratën dhe pasaportat e veta. Në lajmet e para flitej për një territor shumë të vogël afërsisht një e katërta e Vatikanit, çka do ta bënte shtetin më të ri, njëkohësisht edhe shtetin më të vogël në glob.
Tani, gati dy vjet më vonë, lajmet e sotme thonë se projekti po ecën përpara. Flitet për pasaporta, përfaqësues diplomatikë dhe madje për një monedhë të quajtur “bek”, që mund të lidhet me çmimin e arit.
Por nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë dhe një tufë me pyetje.
1. A duhet ndryshuar Kushtetuta e Shqipërisë?
Neni 1, pika 2 e Kushtetutes thotë: “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.” Si mund të krijohet brenda territorit të saj një shtet tjetër sovran?
2. Ku do të kalojë kufiri midis Shqipërisë dhe shtetit bektashi?
Do të kemi një kufi shtetëror në kuptimin juridik të fjalës, apo një territor me status të posaçëm? Kush hyn, kush del dhe sipas cilit regjim?
3. A do të ketë doganë?
Nëse territori është sovran, çfarë ndodh me mallrat që kalojnë nga kryeqyteti në shtetin bektashi dhe anasjelltas? A do të konsiderohen import dhe eksport?
4. Po kursi i bekut me lekun? Po me euron?
Nëse monedha e re quhet Bek dhe lidhet me arin, kush do ta emetojë? A do të ketë bankë qendrore? Kush do të përcaktojë kursin bek/lek dhe bek/euro?
5. Çfarë targash do të kenë makinat e shtetit të ri?
BE, BK apo BSH?
6. Kush mund të bëhet shtetas bektashian?
Vetëm klerikët dhe zyrtarët e shtetit të ri, siç është sugjeruar në modelin fillestar, apo edhe besimtarët? Sa prej tyre do të jetojnë brenda atij shteti dhe mbi ç’bazë regjistrimi? (Vatikani ka më pak se 900 banorë rezidentë)
7. Çfarë ndodh me shtetasit shqiptarë që marrin shtetësinë bektashiane?
Do të mbeten shtetas shqiptarë me dyshtetësi, apo do të hiqen nga regjistri civil shqiptar? Kush do të regjistrojë lindjet, martesat dhe vdekjet?
8. Po miliona bektashinjtë në botë?
A do të kenë ata ndonjë lidhje juridike me shtetin e ri, apo do të jenë thjesht besimtarë të një qendre shpirtërore që ndodhet në një shtet sovran?
9. Si do të jenë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë?
Në rang ambasadorësh? A do të ketë Shqipëria ambasador pranë Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi dhe ky i fundit ambasador pranë Republikës së Shqipërisë? Do të kenë imunitet diplomatik dhe mbi ç’bazë ligjore?
10. Kush do ta njohë shtetin e ri?
A po negociohet paraprakisht njohja nga SHBA, vendet e BE-së, Turqia dhe shtete të tjera? Çfarë ndodh nëse Shqipëria e njeh, por shumica e botës jo?
11. A do të kërkohet anëtarësim në OKB?
Po në OSBE, UNESCO, Organizatën e Bashkëpunimit Islamik apo organizata të tjera ndërkombëtare? A ka ambicie për përfaqësim në OKB shteti i ri?
12. Kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE, a do të konsiderohet automatikisht shtet anëtar edhe shteti bektashi apo duhet të paraqesë kandidaturën, të nisë negociatat dhe të hapë e mbyllë kapitujt në formë autonome?
13. A do të ketë Ministri të Jashtme?
Nëse ka ambasadorë dhe marrëdhënie diplomatike, duhet edhe një institucion që administron politikën e jashtme. Apo këtë funksion do ta kryejë vetë Kryegjyshata?
14. A do të ketë sistem tatimesh dhe taksash?
Kush do t’i mbledhë? A do të paguajnë tatime bizneset që ushtrojnë aktivitet brenda territorit? A do të ketë TVSH? Po tatim mbi të ardhurat?
15. Çfarë regjimi ekonomik do të ketë?
A mund të regjistrohen kompani në shtetin bektashi? A mund të hapen banka? Çfarë ligjesh do të zbatohen kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit?
16. Po gjykata dhe prokurori?
Në vitin 2024 u tha se projekti nuk parashikonte gjykata, por nëse shteti është sovran, kush e zgjidh një konflikt civil, penal, pronësor apo tregtar që ndodh brenda territorit të tij? Gjykatat që kemi?
17. Po policia?
Nëse kryhet një vepër penale brenda territorit të shtetit bektashi, kush ndërhyn, policia e shtetit shqiptar apo një strukturë bektashiane?
18. A do të ketë Gardë apo Xhandarmëri, si Vatikani?
Nëse nuk parashikohet ushtri, a do të ketë një trupë ceremoniale dhe sigurie për Kryegjyshin, institucionet dhe territorin? Po burg a do të ketë? Vatikani ka tre qeli, p.sh.
19. A do të ketë marrëveshje ekstradimi dhe letërporosi me Shqipërinë?
Nëse një person kryen një vepër penale në Shqipëri dhe kalon kufirin drejt shtetit bektashi, dhe kërkon strehim politik çfarë procedure ndiqet? Do të mbrohet nga shteti? Po anasjelltas?
20. Çfarë ndodh me pronat?
A do të hiqen territori dhe objektet brenda tij nga regjistri kadastral i Republikës së Shqipërisë? Kush do të mbajë regjistrin e pronave të shtetit të ri?
21. Po objektet e tjera të kultit bektashian në Shqipëri?
Teqetë dhe pronat bektashiane në qytete të tjera do të mbeten prona brenda territorit shqiptar, apo do të kërkojnë ndonjë status të posaçëm?
22. Po Mali i Tomorrit?
Do t’i përkasë normalisht Republikës së Shqipërisë, do të ketë status të posaçëm për shkak të rëndësisë së tij shpirtërore për bektashinjtë, apo do të kërkohet ndonjë formë ekstraterritorialiteti për zonën e shenjtë?
23. Kush do ta mbrojë shtetin e ri?
Nëse nuk ka ushtri, a do të marrë Shqipëria përsipër mbrojtjen e tij. Nëse merr përsipër Shqipëria mbrojtjen e tij, a duhet marrë miratimi paraprak i NATO-s?
24. A do të jetë shteti bektashi pjesë e territorit doganor dhe ekonomik shqiptar?
Ndërkohë që ne negociojme anëtarësimin në BE çfarë statusi do të ketë enklava ndaj legjislacionit të BE-së nëse Shqipëria bëhet anëtare? A ka parashikua Traktati i BE -së klauzolë apo një nen të tillë?
25. A do të ketë internetin dhe domenin e vet?
Një shtet i ri mund të kërkojë kod telefonik ndërkombëtar dhe domain kombëtar. Pra, a do të kemi një ditë edhe www .bek?
26. A do të ketë media publike?
Radio Televizioni Bektashi? Një agjenci lajmesh shtetërore? Dhe mbi të gjitha çfarë ligji do të rregullojë median dhe lirinë e shprehjes brenda territorit.
27. A do të ketë himn kombëtar?
Vatikani ka Inno e Marcia Pontificale. Po shteti bektashi a do të ketë himnin e vet?
28. Po flamuri, stema, motoja dhe festat shtetërore?
Simbolet aktuale të Urdhrit do të shndërrohen automatikisht në simbole shtetërore, apo do të krijohen të reja? Cila do të jetë festa kombëtare e shtetit bektashi?
29. Kush do të jetë kreu i shtetit dhe si do të bëhet kalimi i pushtetit?
Kryegjyshi do të jetë njëkohësisht udhëheqës shpirtëror dhe kreu i shtetit? Si zgjidhet pasardhësi dhe a bëhet automatikisht edhe kreu i shtetit?
30. Çfarë Kushtetute do të ketë vetë shteti bektashi?
Do të jetë, monarki fetare, republikë, teokraci apo një formë juridike krejt e veçantë?
31. Kur do ta shohim projektin e plotë?
Pasaportat, monedha, ambasadorët dhe flamuri janë pjesa interesante, por pyetjet për territorin, Kushtetutën, sovranitetin, drejtësinë, shtetësinë, taksat dhe marrëdhëniet me Shqipërinë janë ato që përcaktojnë nëse po flasim për një shtet të mirëfilltë, një entitet sovran me status të posaçëm, apo për një model që ende nuk e kemi të qarte.
Shumë pyetje, për shtetin më të vogël të botës!



