Kryetarja e Kuvendit dhe njëherazi ministre në radhët e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka bërë publik mocionin e saj politik për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, një dokument që synon hapjen e një dialogu të gjerë kombëtar për reformimin e demokracisë, institucioneve dhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit në vend.
Dokumenti, i cili fillimisht ishte hartuar si një kontribut për debatet e brendshme në Partinë Socialiste dhe i ishte dorëzuar Asamblesë Kombëtare të PS-së, është publikuar pas interesimit të mediave. Në të, Spiropali argumenton se Shqipëria ka hyrë në një etapë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe se ka ardhur momenti për të reflektuar mbi funksionimin e sistemit politik dhe institucional.
Në mocionin e saj, Spiropali vlerëson se vendi ka bërë përparime të rëndësishme në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e proceseve demokratike, por thekson se shoqëria shqiptare kërkon sot më shumë përfaqësim politik, meritokraci, transparencë dhe besim tek institucionet.
Ajo shprehet se pakënaqësitë qytetare dhe mobilizimi i shoqërisë, veçanërisht i të rinjve, nuk duhet të konsiderohen si kërcënim për shumicën qeverisëse, por si një mundësi për reflektim dhe vetëkorrigjim demokratik. Sipas saj, protestat dhe zërat kritikë duhet të dëgjohen dhe të shërbejnë si nxitje për reforma që forcojnë shtetin dhe demokracinë.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet nevojës për ndërtimin e një kulture të re politike në Shqipëri. Spiropali argumenton se vendi ka nevojë të largohet nga personalizimi i pushtetit dhe të ndërtojë institucione më të forta se individët, duke vendosur meritën mbi privilegjin dhe konkurrencën mbi favorizimin politik.
Sipas saj, sistemi politik që u ndërtua pas marrëveshjes politike të vitit 2008 i shërbeu stabilitetit institucional të kohës, por sot nuk arrin të garantojë nivelin e nevojshëm të përfaqësimit dhe konkurrencës politike që kërkon shoqëria shqiptare.
Në këtë kuadër, Spiropali propozon nisjen e Dialogut Kombëtar për Marrëveshjen e Re për Shqipërinë, një proces që, sipas saj, nuk duhet të mbetet thjesht një nismë partiake apo një program qeverisës, por një diskutim gjithëpërfshirës me qytetarët, universitetet, ekspertët, biznesin, shoqërinë civile, diasporën dhe forcat politike.
Dokumenti parashikon gjithashtu një sërë angazhimesh që Partia Socialiste duhet të ndërmarrë fillimisht ndaj vetvetes. Spiropali kërkon që PS të shndërrohet në partinë më demokratike në vend, duke garantuar zgjedhje të lira dhe konkurruese në çdo nivel organizimi, rikthimin e debatit të brendshëm politik, promovimin e meritokracisë dhe krijimin e më shumë hapësirave për brezin e ri.
Ajo propozon që forumet e Partisë Socialiste të kenë rol real në hartimin e politikave dhe që vendimmarrja të bazohet mbi konsultimin dhe transparencën. Një tjetër pikë e rëndësishme është ndarja e qartë mes partisë dhe shtetit, ku administrata publike duhet të funksionojë mbi bazën e ligjit dhe interesit publik, pa u ndikuar nga ciklet politike apo interesat individuale të pushtetit.
Në pjesën që trajton angazhimet për Shqipërinë e dekadës së ardhshme, Spiropali paraqet vizionin e saj për një Shqipëri europiane, ku demokracia matet me cilësinë e institucioneve dhe besimin që qytetarët kanë tek shteti.
Ajo rendit disa prioritete themelore, duke nisur nga organizimi i zgjedhjeve që prodhojnë besim dhe krijimi i mekanizmave që kufizojnë pushtetin politik. Sipas saj, forca e demokracisë nuk matet nga përqendrimi i pushtetit, por nga aftësia për ta shpërndarë atë tek institucione të forta dhe të pavarura.
Në mocion theksohet edhe nevoja për një demokraci që dëgjon qytetarët, opozitën, median dhe shoqërinë civile, duke i konsideruar ato si instrumente që ndihmojnë shtetin të vetëkorrigjohet dhe jo si pengesa për funksionimin e tij.
Një tjetër propozim lidhet me rikthimin e Parlamentit në qendër të jetës politike dhe institucionale të vendit. Spiropali argumenton se Republika Parlamentare duhet të karakterizohet nga cilësia e debatit politik dhe kontrolli efektiv mbi qeverinë, përtej numrave që disponon shumica parlamentare.
Në fushën e drejtësisë, ajo mbështet forcimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe vijimin e luftës kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe krimit. Sipas saj, drejtësia duhet të ketë lirinë për të hetuar çdo individ pa ndikim politik, ndërsa qeverisja duhet të ndërtohet mbi përgjegjësinë dhe transparencën.
Dokumenti propozon gjithashtu ndarjen përfundimtare të shtetit nga partia politike dhe ndërtimin e një administrate profesionale, të bazuar mbi meritën dhe kompetencën. Administrata publike, sipas Spiropalit, duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo e varur nga interesat e pushtetit politik.
Në aspektin ekonomik, mocioni kërkon ndërtimin e një ekonomie konkurruese dhe meritokratike, ku shteti garanton rregulla të barabarta për të gjithë aktorët ekonomikë dhe ku suksesi mbështetet tek puna, inovacioni dhe sipërmarrja, e jo tek afërsia me politikën.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet arsimit dhe shëndetësisë. Spiropali argumenton se arsimi duhet të shërbejë si mekanizmi kryesor për promovimin e meritokracisë dhe për mbajtjen e talenteve të reja në Shqipëri, ndërsa sistemi shëndetësor duhet të garantojë trajtim dinjitoz dhe të barabartë për çdo qytetar.
Në dokument përmendet edhe nevoja për një media të lirë dhe të pavarur, e cila të ketë mundësinë dhe autoritetin për të mbajtur pushtetin përgjegjës përpara publikut.
Një nga propozimet më të rëndësishme politike të mocionit lidhet me reformimin e sistemit zgjedhor. Elisa Spiropali propozon miratimin e një sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura, i cili, sipas saj, do të garantonte përfaqësim më të gjerë politik dhe konkurrencë më të ndershme mes alternativave dhe kandidatëve.
Ajo vlerëson se sistemi aktual zgjedhor, i trashëguar nga marrëveshja politike e vitit 2008, nuk i përgjigjet më nevojave të shoqërisë shqiptare dhe se efektet pozitive që ka prodhuar në të kaluarën janë tejkaluar nga kufizimet që paraqet sot për demokracinë dhe përfaqësimin politik.
Në përfundim të mocionit, Spiropali nënvizon se Shqipëria nuk ka nevojë për një kontratë të re elektorale, por për një kontratë të re besimi mes shtetit dhe qytetarëve. Sipas saj, zhvillimi ekonomik duhet të ecë paralelisht me forcimin e demokracisë, drejtësisë dhe vetëkufizimit të pushtetit.
Përmes këtij dokumenti, ajo fton qytetarët, institucionet dhe të gjitha forcat politike që të bëhen pjesë e Dialogut Kombëtar për Marrëveshjen e Re për Shqipërinë, duke theksuar se ndryshimi duhet të nisë jo me premtimin për të ndryshuar vendin, por me gatishmërinë për të ndryshuar mënyrën se si ushtrohet pushteti.



