Partia Demokratike zhvilloi në Tiranë mosbindjen civile të katërt që nga muaji tetor.
Mbështetësit e opozitës u pozicionuan në 5 nyjet kryesore rrugore të kryeqytetit duke paralizuar qarkullimin, ndërsa kryetari i PD, Sali Berisha marshoi drejt shesheve të protestës duke nisur nga Rruga e Elbasanit ku ishte ndalesa e tij e parë.
Skenari ishte i ngjashëm me protestat e mëparshme të zhvilluara prej 7 tetorit e deri tani.
Rrugët e bllokuara ishin rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ai i Pallatit me Shigjeta, sheshi Ëilson, Rruga e Elbasanit dhe segmenti ndërmjet ministrive dhe Bashkisë së Tiranës. Kjo mosbindje civile e opozitës gjati 3 orë ndërsa u zhvillua në kushte atmosferike të pafavorshme, pasi reshjet e shiut vijuan me intensitet përgjatë gjithë ditës. Nuk munguan as incidentet dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Te sheshi Ëilson, Zogu i Zi dhe Bashkia e Tiranës protestuesit u shpërndanë më herët pas ndërhyrjeve të vazhdueshme nga ana e policisë. Ndërsa te Pallati me Shigjeta dhe Rruga e Elbasanit qarkullimi u mbajt i bllokuar deri në orën 20.00.
Ra në sy përplasja e nënkryetarit të PD, Agron Gjekmarkaj me Policinë te Pallati me Shigjeta i cili për pasojë humbi ndjenjat dhe u dërgua te Spitali i Traumës për kujdes mjekësor.
Policia shoqëron 15 protestues të opozitës
Policia e Tiranës ka shoqëruar 15 protestues të opozitës për bllokimin e rrugëve gjatë mosbindjes civile. Tubimi u shoqërua me incidente dhe përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit të cilët ndërhynin herë pas here për lirimin e 5 rrugëve të bllokuara.