Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal për dëmtimin e shtetasit Erion Vishkulli gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet më 24 tetor 2026, ndërsa në të njëjtin hetim po verifikohen edhe raste të tjera të dëmtimit të qytetarëve, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 7806 të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V.
Menjëherë pas ngjarjes, grupi hetimor ka kryer një sërë veprimesh për dokumentimin e rrethanave. Mes tyre janë administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Prokuroria bën të ditur gjithashtu se po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë tyre.
Rreth 20 kartela mjekësore për qytetarët e dëmtuar
Përveç rastit të shtetasit E.V., në të njëjtin procedim po hetohen edhe dëmtimet e disa qytetarëve të tjerë gjatë protestave, në kuadër të dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Deri në këtë fazë të hetimeve, janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar. Paralelisht, po kryhen verifikime për këto raste në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjeve dhe për të dokumentuar përgjegjësitë e mundshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.



