back to top
24.5 C
Tirana
E hënë, 11 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaDokumenti/ SPAK i dërgon KQZ-së dosjen për kryetarin e Bashkisë së Kuçovës

Dokumenti/ SPAK i dërgon KQZ-së dosjen për kryetarin e Bashkisë së Kuçovës

SPAK i ka përcjellë zyrtarisht Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi konfirmimin e dënimit të formës së prerë për kryetarin e Bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari, duke e vendosur në qendër të një procesi të ri institucional për verifikimin e mandatit të tij.

Sipas shkresës zyrtare të protokolluar në maj 2026, SPAK konfirmon se Hajdari është shpallur fajtor për veprën penale “falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, në kuadër të një procesi që lidhet me verifikimet e ligjit të dekriminalizimit dhe pastërtisë së figurës së zyrtarëve të zgjedhur.

Në dokumentin e dërguar KQZ-së, kryeprokurori Klodjan Braho përshkruan ecurinë e plotë të çështjes penale ndaj Hajdarit, e cila ka nisur pas verifikimeve administrative dhe hetimore mbi deklarimet e tij në formularët zyrtarë.

Sipas vendimit të përmendur në shkresë, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur më 25 janar 2024 deklarimin fajtor të Kreshnik Hajdarit dhe dënimin e tij me 9 muaj burgim. Më pas, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është reduktuar në 6 muaj burg, i cili është pezulluar dhe zëvendësuar me shërbim prove.

Në dokument theksohet gjithashtu se vendimi ka marrë formë të prerë më 5 korrik 2024, duke e bërë çështjen juridikisht të përfunduar dhe duke hapur rrugën për veprimet institucionale të mëtejshme në lidhje me mandatin e tij si kryetar bashkie.

Ky zhvillim vjen pas një historie të gjatë akuzash dhe përplasjesh politike, të ngritura kryesisht nga rivali i tij në zgjedhjet lokale Lefter Maliqi, i cili ka depozituar disa herë denoncime në SPAK dhe KQZ.

Maliqi ka pretenduar se Hajdari ka fshehur një dënim të mëparshëm në Greqi për kalim të paligjshëm të kufirit, duke mos e pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit. Sipas tij, kjo përbën shkelje të ligjit të dekriminalizimit dhe e bën kandidaturën e Hajdarit të pavlefshme.

Ai ka ngritur gjithashtu akuza se institucionet kanë vonuar zbatimin e ligjit dhe se mandati i Hajdarit duhet të shpallet i pavlefshëm, duke kërkuar madje përsëritjen e zgjedhjeve në Kuçovë.

Me mbërritjen e shkresës zyrtare nga SPAK, tashmë vendimmarrja kalon në duart e KQZ-së. Komisioneri Celibashi pritet të thërrasë një seancë për të shqyrtuar rastin dhe për të vendosur nëse do të konstatohet mbarimi i parakohshëm i mandatit të Kreshnik Hajdarit, apo nëse do të ketë hapësira të tjera ligjore që mund të ndikojnë në vijimësinë e tij në detyrë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat