Nga Lutfi Dervishi
Fort i dashur Babagjysh,
Pavarësisht se bota e ka rritur skepticizmin ndaj teje, unë besoj që ti gjendesh diku aty, ashtu si unë.
Quhem Nesti Angoni, një emër që këtë fundviti ka bërë më shumë zhurmë se të gjithë makinat në trafikun e Tiranës të marra së bashku!
Po t’a bëj të qartë që në krye të herës se unë nuk kërkoj dhurata si gjithë të tjerët, sepse unë tashmë jam bërë vete dhuratë për këtë vend.
Unë nuk kërkoj, as lyp, unë vetem ëndërroj.
Përfytyroj natën kur do të dal në televizion në “prime-time” dhe të gjithë do të lakojnë emrin dhe veprën time.
Jo për vëmendje, se tani jam në mendjen e gjithëkujt, por për të shpjeguar filozofinë time mbi jetën, korrupsionin si art i së mundshmes, dhe të qenurit askushi!
Frymëzimin e kam marrë nga Nesti Bënja i Koncert në vitin 1936, i cili i shkruante revistës “Bota e Re” për gjendjen e mjeruar në Myzeqe!
Por, nëse ai shkruante për mushkonjat e asaj kohe, tani mushkonjat janë sofistikuar, janë bërë intelektuale, dhe as ilaçi SPAK nuk i bën dot gjë.
Ëndërroj që të vijë dita që kur të hapet një tender publik, emri im të jetë në mendjen e të gjithë antareve të komisionit.
Ëndërroj që emri im grek të mos përdoret si kokë turku për gjithë të paberat që bëhen dhe janë bërë të zakoneshme në vendin e shqiponjave.
Dhe, si Odiseu që i tha ciklopit se emri i tij ishte “Askush”, edhe unë, Nesti Angoni, jam “Askushi” i kohës që nuk më kapin dot as gjigantët e informacionit, as syri vigjilent i patronazhistëve dhe as hakerat iranianë.
N/A ose N.A të mos kuptohet më si “Not Available”, apo “Not Aplicable”, por si iniciale të llagapit tim.
Endërroj që 31 dhjetori, dita që shqiptarët i premtojnë vetes që vitin e ardhshëm do të lenë duhanin/alkoolin, do të kursejnë, do të mësojnë dhe do të kujdesen për shëndetin, të shpallet Dita e Angonizmit Kombëtar (DAK).
E di që do të pyesësh veten: ç’ne me këto endrra/dëshira ky që s’është as i gjallë, as i vdekur?
Po a nuk është ky thelbi i jetës sonë, Babagjysh?
Të duam të pamundurën, të ndjekim të pakapshmen, të adhurojme mitin/liderin?
Në mbyllje kam një lutje: lëre Shqipërinë të vazhdojë të ëndërrojë për mua. Më bëj mit zyrtar. Shtoje emrin tim në historinë e këtij vendi të lavdishëm.
Një bust të thjeshtë në sheshin Skënderbej, ku të shkruhet: “Nesti Angoni. Askushi që u bë Dikushi”.
N.A
P.S Babagjysh thellë-thellë mendoj se unë jam dhurata që ti ke bërë për shqiptarët: një pasqyrë e vetëvetes në formën e një askushi.