back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 12 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetBotaVon der Leyen: Platformat online po e trajtojnë vëmendjen e fëmijëve si...

Von der Leyen: Platformat online po e trajtojnë vëmendjen e fëmijëve si mall

Bashkimi Europian po përgatit një ligj të ri që synon të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë rrjetet sociale, me fokus të veçantë mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga efektet negative të platformave digjitale.

Lajmi u bë i ditur nga presidentja e Komisioni Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një fjalimi në Kopenhagen, ku ajo theksoi se problemet që lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nuk janë të rastësishme, por lidhen me vetë mënyrën se si janë ndërtuar platformat.

Sipas saj, shumë aplikacione digjitale përdorin modele biznesi që synojnë të mbajnë përdoruesit sa më gjatë online, duke shfrytëzuar vëmendjen e të rinjve si burim fitimi.

“Vëmendja e fëmijëve tanë po trajtohet si mall,” deklaroi Von der Leyen.

Platformat në fokus të BE-së

Komisioni Europian ka bërë të ditur se në qendër të këtij rregullimi do të jenë disa nga platformat më të mëdha në botë, përfshirë TikTok, X, si dhe platformat e Meta si Instagram dhe Facebook.

Sipas Komisionit, këto platforma përdorin elementë të tillë si “scroll”-i i pafund, riprodhimi automatik i videove dhe njoftimet e vazhdueshme, të cilat nxisin përdorim të pakontrolluar dhe krijojnë varësi digjitale.

Masa kundër dizajnit që krijon varësi

BE ka bërë të ditur se po ndërmerren masa konkrete ndaj dizajneve që konsiderohen problematike, përfshirë algoritmet që mbajnë përdoruesit të lidhur për orë të tëra në aplikacione.

Po ashtu, janë në fokus edhe praktikat e marketingut digjital, kontratat komplekse për përdoruesit dhe “kurthet e abonimeve” që, sipas BE-së, shpesh nuk janë transparente.

Komisioni Europian ka nisur gjithashtu procedura hetimore ndaj platformës X për përdorimin e inteligjencës artificiale në gjenerimin e përmbajtjeve sensitive.

Kufizime të mundshme për moshën

Një nga propozimet më të forta të diskutuar në Bruksel është vendosja e kufizimeve të rrepta për aksesin në rrjetet sociale për adoleshentët nën një moshë të caktuar, si dhe forcimi i kontrollit të moshës në platformat ekzistuese.

Von der Leyen tha se objektivi është që deri në fund të vitit të vendosen rregulla më të qarta dhe më të forta për të garantuar një përdorim më të sigurt të internetit nga të miturit.

Qëllimi i ligjit të ri

Sipas Komisionit Europian, qëllimi kryesor i kësaj nisme është të krijojë një mjedis digjital më të sigurt, ku mbrohen fëmijët nga varësia online, ekspozimi i tepruar ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe manipulimi përmes algoritmeve.

BE thekson se ky është një hap i rëndësishëm drejt rregullimit më të fortë të industrisë së teknologjisë dhe mbrojtjes së përdoruesve më të rinj në hapësirën digjitale.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat