Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka dalë me një deklaratë sqaruese lidhur me punimet që kanë nisur në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku pritet të ndërtohet një resort dhe marinë luksoze e lidhur me investimin e Jared Kushner.
Sipas IKMT-së, pas shqetësimeve të ngritura publikisht, janë kryer verifikime në terren në zonën e Zvërnecit, ku është konstatuar se në emër të subjektit juridik “Albania Land Development” po kryheshin punime rrethimi dhe punime përgatitore për rrugët e aksesit të projektit.
Inspektoriati sqaron se punimet po realizohen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k., ndërsa leja përkatëse është lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, organ i kryesuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për vendimin nr. 5, datë 29.04.2026, që autorizon kryerjen e punimeve të rrethimit dhe të ndërhyrjeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda pronës në Zvërnec, Bashkia Vlorë.
IKMT bën të ditur se aktualisht po kryhen vetëm punime rrethimi dhe përgatitore, ndërsa procedurat për lejen e zhvillimit po vijojnë nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Subjekti zhvillues disponon gjithashtu Raportin Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektin “Zvërnec Peninsula”, i cili parashikon ndërtimin e një kompleksi multifunksional me marina, hoteleri, banim dhe struktura rekreative në zonë.
Në deklaratë theksohet se për çdo leje të miratuar nga KKT, IKMT dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit krijojnë grupe të përbashkëta inspektimi për të monitoruar zbatimin e projekteve dhe respektimin e ligjshmërisë.



