back to top
24.5 C
Tirana
E martë, 12 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetHoxha: Nuk do të ketë zgjatje të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë

Hoxha: Nuk do të ketë zgjatje të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë

Shqipëria nuk do të rinovojë marrëveshjen e migracionit me Italinë përtej vitit 2030. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, gjatë një interviste për Euractiv.

Marrëveshja mes Shqipëria dhe Italia, e ratifikuar në fillim të vitit 2024, parashikon përdorimin e dy qendrave në Gjadër dhe Shëngjin nga autoritetet italiane për strehimin dhe paraburgimin e emigrantëve që nuk kanë përfituar azil në Itali.

Kjo skemë është konsideruar pjesë e përpjekjeve të disa vendeve europiane për të zhvendosur jashtë territorit të tyre menaxhimin e emigracionit dhe kërkesave për azil.

Sipas Hoxhës, marrëveshja është parashikuar të zgjasë pesë vite dhe nuk pritet të ketë vazhdim pas përfundimit të saj.

“Është një marrëveshje pesëvjeçare dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë zgjatje. Në fakt, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Europian, territori shqiptar do të konsiderohet pjesë e territorit të unionit, duke e bërë të pavlefshëm karakterin “ekstraterritorial” të marrëveshjes.

“Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogaritje. Sapo Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk është më ekstraterritoriale, por territor i Bashkimit Europian”, u shpreh Hoxha.

Marrëveshja ka shkaktuar debate të forta politike dhe juridike në Itali. Fillimisht, qeveria e kryeministres Giorgia Meloni kishte planifikuar përdorimin e qendrave në Shqipëri për përpunimin e kërkesave të azilit, por më pas objektet u përdorën si qendra paraburgimi për emigrantët me kërkesa të refuzuara, të cilët presin riatdhesimin.

Në prill të këtij viti, marrëveshja mori një mbështetje të rëndësishme juridike në nivel europian, pasi një avokat i përgjithshëm pranë Gjykatës së Drejtësisë së BE-së dha një opinion jo-detyrues se skema është në përputhje me ligjin europian.

Ministri Hoxha deklaroi se Shqipëria nuk është tërhequr nga marrëveshja pavarësisht debateve dhe sfidave ligjore, ndërsa e cilësoi vendin si një partner të besueshëm për Italinë.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e ka përshkruar më herët partneritetin me Italinë si “ekskluziv”, duke vlerësuar marrëdhëniet e afërta mes dy vendeve.

Hoxha hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se Italia mund të pengojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë për të ruajtur funksionimin e kampeve të emigrantëve në territorin shqiptar.

“Italia kishte nevojë për ndihmë. Ne ndihmuam. Dhe kjo nuk mund të harrohet”, deklaroi ministri shqiptar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat