Avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj ka dhënë detaje në lidhje me marrjen në pyetje të presidentit të PL sot në SPAK.
Gjokutaj u shpreh se çështja e vetme për të cilën është pyetur ish-presidenti ka qenë ajo e lobimit në Shtetet e Bashkuara.
“Sot është pyetur vetëm sa i përket lobimit në SHBA. Meta është treguar bashkëpunues me gjithçka që mbante mend pa iu referuar akteve që do të na vihen në dispozicion”, tha ai.
Më tej ai ka thënë se Meta u kërkoi prokurorëve të SPAK shpjegime në lidhje me denoncime e paraqitura për rastin”McGonigal” si edhe atë të inceneratorëve.
“Zoti Meta nuk diskutohet për të dhënë shpjegime në lidhje me organin e hetimit. Një nga këto seanca ishte sot dhe zoti Meta në të gjitha seancat, edhe si person në dijeni ka dhënë shpjegime të detajuara këtu. Zoti Meta përballë këtij procesi nuk ka zgjedhur heshtjen, por përballjen me aktet dhe faktet që prokurorët kanë në dispozicion.
Rekursi do të paraqitet brenda afatit ligjor, jemi duke e përfunduar. Meta i kërkoi shpjegime prokurorëve në lidhje me çështjen McGonigal dhe inceneratorët. Ai është lider i PL dhe PL ka bërë kallëzime përkatëse dhe u interesua për këto raste. Ata thanë që nuk mund t’i përgjigjeshin sepse ka sekret hetimor, por sugjeruan që përmes një kërkese mund t’i drejtohet organit të SPAK për të marrë informacion. Ne do ta paraqesim këtë kërkesë në lidhje me këto subjekte që Meta kërkoi sqarime nga prokurorët”, u shpreh Gjokutaj.