Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Janë zgjedhur tre anëtarët e rinj gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Procesi i votimit u zhvillua këtë të premte, më 25 shtator, gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku për tre vendet garuan shtatë kandidatë nga Gjykata e Lartë, gjykatat e apelit dhe gjykatat e shkallës së parë.
Përfaqësues i Gjykatës së Lartë në KLGJ do të jetë gjyqtari Sandër Simoni. Gara me Arbena Ahmetin përfundoi në barazim, pasi të dy kandidatët morën nga 179 vota.
Për shkak të barazimit, u aplikua procedura e shortit të parashikuar nga rregullorja. Pas hedhjes së shortit me gogla, fitues u shpall Sandër Simoni.
Në garën për përfaqësuesin e gjykatave të apelit, mandatin e siguroi gjyqtari Fatri Islamaj. Ai mori 190 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Igerta Hysi, mori 171 vota.
Ndërsa nga gjykatat e shkallës së parë u zgjodh gjyqtarja Brunilda Kadi. Ajo garoi përballë Matilda Llangozit dhe Manjola Xhaxhos dhe mori 167 vota. Llangozi mori 101 vota, ndërsa Xhaxho 90 vota.
Kadi nuk është një emër i ri në KLGJ. Ajo ka qenë më herët anëtare e Këshillit, gjatë periudhës 2018-2021, ndërsa ka ushtruar detyrën e gjyqtares edhe në Fier dhe Elbasan.
Edhe dy anëtarët e tjerë kanë eksperiencë në sistemin e drejtësisë. Sandër Simoni është gjyqtar i Gjykatës së Lartë që prej marsit 2021 dhe më herët ka drejtuar ish-Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Ai ka qenë gjithashtu anëtar dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Fatri Islamaj është gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ka drejtuar më herët Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Edhe ai ka qenë anëtar i KED.
Tre anëtarët e rinj do të zëvendësojnë Klodian Kurushin, Ridvan Hados dhe Irena Plakun, të cilëve u përfundon mandati pesëvjeçar më 12 dhjetor 2026. Pas kësaj date, Simoni, Islamaj dhe Kadi do të marrin zyrtarisht vendet e tyre në KLGJ.
KLGJ-ja përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve janë gjyqtarë të zgjedhur nga vetë sistemi gjyqësor, ndërsa pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve.



