back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 3 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetRajoniEUROPOL dhe i EUROJUST ‘aksion’ në Maqedoninë e Veriut/ Sekuestrohen mbi gjysmë...

EUROPOL dhe i EUROJUST ‘aksion’ në Maqedoninë e Veriut/ Sekuestrohen mbi gjysmë milioni euro dhe arrestohen 10 persona

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur se ka zbuluar dhe konfiskuar rreth gjysmë milioni euro, përfshirë pajisje për numërimin dhe falsifikimin e parave, kopje të pjesëve të kartëmonedhave, si dhe armë dhe municione, gjatë një aksioni të zhvilluar të hënën.

Në një komunikatë për media, Prokuroria bëri të ditur se aksioni, i koduar “Vardar”, ka rezultuar me arrestimin e dhjetë personave, ndërsa është realizuar në bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Policisë (EUROPOL), me mbështetjen e Eurojust-it – Agjencisë së BE-së për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale – si dhe disa institucione hetimore serbe.

“EUROPOL dhe Projekti i EUROJUST për drejtësinë penale në Ballkanin Perëndimor, mundësuan koordinimin operacional, analizën kritike të inteligjencës dhe ndihmën teknike për realizimin e operacionit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan rreth 500.000 euro, 25.000 dollarë amerikanë, 500 franga zvicerane, 1800 shekela izraelite, 500 kuna kroate, 10.000 lekë, 1.000 krona suedeze dhe 25.000 rubla ruse.

“Janë ekzekutuar 23 urdhra për kontroll në persona dhe banesa dhe janë siguruar prova material”, tha Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, ky aksion është vazhdimësi e operacionit të gushtit të vitit të kaluar, kur autoritetet në Shkup, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe me mbështetjen e Eurojust-it dhe EUROPOL-it, sekuestruan pajisje për falsifikim të monedhave euro, të gatshme dhe gjysmë të gatshme, kallëpe dhe materiale të tjera për prodhim.

Në atë operacion, një zyrtar policor nga Maqedonia e Veriut u arrestua në Kosovë, nën dyshimin se kishte prodhuar rreth dy milionë monedha false prej dy eurosh.

Ai ishte pjesë e departamentit për luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar në Policinë maqedonase. Burime nga hetimet thanë për Radion Evropa e Lirë se i arrestuari ishte pjesë e rrjetit të falsifikatorëve, por jo organizatori kryesor i operacionit.

Prokuroria ka njoftuar gjithashtu edhe për zhvillimin dhe rezultatet e pjesës së operacionit të kryer në Serbi.

“Në Republikën e Serbisë janë bërë bastisje në disa lokacione, në Novi Pazar, Novi Sad, Sombor dhe Suboticë. Janë arrestuar gjashtë anëtarë të grupit kriminal, dhe janë sekuestruar 180.000 kartëmonedha të falsifikuara në euro”, njofton Prokuroria./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat