Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Propozimi për ndryshimin e kufijve administrativë të Tiranës ka shkaktuar debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku shumica dhe opozita kanë pasur qëndrime të ndryshme mbi mënyrën se si duhet trajtuar reforma.
Në diskutim është përfshirë kërkesa për marrjen e një qëndrimi nga Bashkia e Tiranës për përfshirjen e Rinasit, Bërxullës dhe Domjes në territorin e kryeqytetit. Çështja është pjesë e procesit që do të vijojë më pas në Kuvend.
Këshilltarja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, kundërshtoi faktin që reforma ishte vendosur në një pikë të zakonshme të rendit të ditës. Sipas saj, ndryshimi i kufijve dhe mënyra e organizimit të pushtetit vendor kërkojnë një trajtim më të gjerë.
Zhulali tha se vendimi do të ketë pasoja për qeverisjen vendore në vitet e ardhshme dhe akuzoi shumicën se po e trajton çështjen si një procedurë rutinë.
Nga ana tjetër, sekretari i Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli, sqaroi se dokumentacioni nuk ishte iniciuar nga Këshilli, por ishte përcjellë nga Kuvendi për marrjen e një qëndrimi.
Sipas Zenelit, këshilltarëve u kërkohet të shprehen konkretisht nëse janë dakord me përfshirjen e tre zonave në strukturën e re territoriale të Tiranës.
Por ky shpjegim nuk e mbylli debatin. Zhulali kundërshtoi mënyrën e trajtimit të propozimit, duke argumentuar se reforma nuk mund të reduktohet në një çështje teknike hartografike.
Debati u zgjerua edhe te mënyra se si do të përcillet qëndrimi i Këshillit Bashkiak në dokumentet që do të shkojnë në Kuvend.
Këshilltari demokrat Dorjan Teliti kërkoi që të garantohet pasqyrimi i qëndrimit të opozitës në dokumentacion, në mënyrë që raporti përfundimtar të mos përmbajë vetëm qëndrimin e shumicës.
Sipas Telitit, nëse mazhoranca dhe pakica kanë qëndrime të ndryshme, të dyja duhet të reflektohen në vendimin që do t’i përcillet Kuvendit.
Ndryshimet e propozuara territoriale pritet të vijojnë tashmë në fazat e tjera të procesit, ndërsa vendimmarrja përfundimtare i takon Kuvendit të Shqipërisë.



