“Nuk është merita jote që vinë më shumë turistë është merita e zotit që na ka fal një vend të bukur e të bekuar por është për të ardhur keq që nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit e duhur për të na drejtuar se dhe ti njësoj me Berishën e Metën je nuk ke asnjë ndryshim prandaj më mirë rri rehat sa të kesh pushtet se inshallah të vjen dhe ty radha siç ju erdhi atyre të luftosh nëpër gjykata e nëpër burgje” ka qenë një nga komentet që kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet në “Sy s’sy”.
Rama u shpreh se PS është ndryshe, është vetë ndryshimi, dhe ka qenë pikërisht PS që e ka bërë Shqipërinë turistike.
“Punët tona të mira janë meritë e Zotit por kur bie shi për 3 orë sa për tre muaj është faji ynë. Lind pyetja kur na e fali Zoti këtë vend të bukur, kur erdha unë në qeveri? Pse nuk vinin turistët më parë se PS të vinte në qeveri, pse nuk na zinte njeri me gojë për këto bukuri por vetëm për plehrat e tërë të zezat. Kush e përmbysi këtë histori të botës me ne dhe bëri tërë mediat e botës të flasin për Shqipërinë si destinacion turistik? Pse u kujtua tani zoti dhe jo kur qeverisnin ata që e bënë këtë vend zhele katran me bojë në sytë e botës dhe që nuk ua hidhte sytë askush? Shqipërinë turistike e bëmë ne dhe askush tjetër”, tha ai.