Kryeministri Edi Rama në inaugurimin e Spitalit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUNT, u ndal edhe tek spitali i Onkologjikut.
Ai u shpreh se ende ka probleme për t’u adresuar dhe se duhet të mësojmë nga e shkuara që raste si ai të mos përsëriten më.
“Kemi ende probleme për të adresuar, jemi të gjithë të vëmendshëm që mësimet e hidhura të së shkuarës të na vlejnë dhe ngjarje si ajo e onkologjikut të mos përsëritur. Por kjo është një betejë e përditshme, jo vetëm shqiptare.
Në Davos mësova rastin e kardiokirurgjisë në Zvicër që pak kohë më parë ishte përfshirë në një skandal që pasoi një pastrim të personelit për shkak të ngjarjeve korruptive me kompanitë lidhur me aparaturat mjekësore.
Shpesh ndodhemi në situata sikur biem nga qielli por kjo është një përpjekje e gjithanshme dhe e përditshme”, tha ai.
Fjala e kryeministrit Edi Rama:
Përshëndetje të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë atyre që janë në hije sepse ata që janë në diell po ia kalojnë më mirë mesa kuptoj.
Më vjen shumë mirë që vij përsëri këtu për një tjetër derë që hapim në këtë qendër spitalore, ku transformimi tanimë është i gjithanshëm dhe ku ende pak struktura mbeten për t’u integruar në këtë tërësi të transformuar.
Më vjen shumë mirë, po ashtu, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive, në mos gabohem.
Është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliardë euro, një buxhet i lartë dhe paimagjinueshëm disa vite më parë, të cilin do të bëjmë çmos ta realizojmë me cilësi dhe duke rritur kapacitetet, jo vetëm këtu në Qendrën Spitalore, por edhe në të gjithë rrjetin e shërbimit shëndetësor të Republikës, por duke ndaluar këtu, më vjen shumë mirë që në ndërkohë jemi thuajse në përfundim të punës për të futur dhe një shërbim tjetër, i cili është një shërbim i ri, falë një bashkëpunimi me një organizatë shumë të njohur në fushën e mbështetjes së fëmijëve, miq izraelitë që janë ofruar të sjellin këtu këtë shërbim që është shkolla pranë Pediatrisë dhe që do t’u japë mundësinë fëmijëve që qëndrojnë në Spitalin Pediatrik, që njëkohësisht të marrin dhe mësim dhe të mos mbeten mbrapa me shkollë, por natyrisht me një metodë dhe me një program që i përshtatet edhe gjendjes së tyre jo optimale shëndetësore.
Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që tanimë kemi materializuar edhe projektin e partneritetit në menaxhimin e spitaleve. Kanë ardhur menaxherët nga Turqia, të cilët do të qëndrojnë për disa ditë në Spitalin Memorial dhe pastaj do të vendosen në spitalet që tanimë kanë kartën e autonomisë spitalore, përfshirë dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, çka do të na japë një ndihmë shumë të madhe në atë që vërtetë na mungon ose që është vërtetë pika më dobët sot në sistemin tonë spitalor, që është menaxhimi profesional, përtej administrimit që bëhet në pavijone nga shefat e pavijoneve.
Këtu flasim për menaxhimin profesional të një sistemi të ri, që bazohet tek autonomia spitalore që do të thotë që gjithmonë e më shumë fonde do të spostohen nga duart e qeverisë dhe ministrisë në duart e vetë komuniteteve spitalore, që do të thotë që, përveç administrimit rutinë të pavijoneve duhet të ndërtohet një qeverisje e spitaleve në kuptimin e plotë të fjalës, në mënyrë që me të gjitha burimet financiare dhe me burimet njerëzore të bëhet më e mira për pacientët, të bëhet më e mira për mjekët dhe të krijohen kushtet që të gjithë të jenë të shpërblyer sipas kontributit dhe jo thjesht me atë pagën tavan e në ndërkohë, të gjithë ata, që vijnë në dyert e shërbimit publik të jenë të mirëshërbyer në çdo nivel.
Kemi një sërë projektesh me shumë rëndësi përpara në drejtim të shërbimit gjinekologjik, ashtu sikundër kemi dhe një sërë projektesh për të vazhduar me ripërtëritjen e qendrave shëndetësore sepse siç ju e dini më mirë se të gjithë, rënia e presionit, ulja e presionit që ka qenë i jashtëzakonshëm ka filluar të ulet, por prapë është i madh mbi Qendrën Spitalore, është një domosdoshmëri dhe fuqizimi i niveleve të tjera është rruga për ta balancuar këtë, duke i dhënë mundësi qendrës suaj që të jetë një qendër realisht universitare.
Në këtë aspekt, jam shumë i lumtur që programi i partneritetit me qendrën spitalore SHEBA në Izrael është në rrugën e duhur.
Puna e përbashkët në spitalin onkologjik ka nisur, ndërkohë që, siç e kam thënë do të shtrihet në të gjithë qendrën spitalore dhe po ashtu, jemi duke diskutuar dhe për hapjen e një laboratori këtu të Inteligjencës Artificiale që do të jetë një laborator rajonal, pjesë e kostelacionit të laboratorëve të SHEBA-s që do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë personelin shëndetësor të këtushëm, por edhe në të gjithë rajonin dhe njëkohësisht që do të na japë mundësi që të përfitojmë nga puna e laboratorëve të tjerë të këtij kostelacioni, duke hapur praktikisht një perspektivë të re për mjekët që janë të dëshiruar të eksplorojnë më shumë në profilin e tyre dhe janë të dëshiruar të kontribuojnë më shumë për të sjellë inovacion dhe për të sjellë zgjidhje të reja përmes teknologjisë.
Më vjen shumë mirë, që sot mund të flasim për ndërhyrje realisht të paimagjinueshme, deri disa vite më parë në Qendrën Spitalore, për operacione fëmijësh, për shembull, me probleme që, deri dje adresoheshin vetëm në spitalet jashtë vendit.
Më vjen shumë mirë, po ashtu, që kjo ndodh në të gjitha nivelet dhe herë pas herë shohim se si mjekët e Qendrës Spitalore Universitare realizojnë ndërhyrje tejet të sofistikuara me shumë sukses, gjë që na bën shumë krenarë për gjithçka ju bëni, por edhe për faktin që mesa kemi mundur dhe mesa do të mundemi, do të vazhdojmë që të përmirësojmë dhe të lehtësojmë kushtet e punës, duke i dhënë mundësi të gjithë atyre që punojnë në këtë qendër që të vijnë në punë dhe të kenë të gjitha mundësitë për të ushtruar me cilësinë më të lartë këtë profesion, që lidhet me jetën e njerëzve.
Në mbyllje, doja t’ju thosha që padiskutim që ne kemi ende probleme për të adresuar, padiskutim që jemi të gjithë të vëmendshëm që mësimet e hidhura që kemi marrë në të shkuarën të na vlejnë dhe njëkohësisht ngjarjet si ajo e Onkologjikut të mos përsëriten, por nga ana tjetër, kjo është një betejë e përditshme, që nuk është vetëm një betejë shqiptare.
Përpara pak javësh në Davos mësova historinë e departamentit të Kardiokirurgjisë, njërit ndër më të famshmit në Europë apo në botë, në Zvicër, që pak kohë më parë ishte përfshirë në një skandal të madh që kishte sjellë praktikisht, edhe një pastrim rrënjësor të personelit për shkak të marrëdhënieve korruptive me prodhuesit e industrisë farmaceutike ose më saktë jo farmaceutike, por të industrisë të mjeteve, materialeve dhe aparaturave mjekësore.
E them këtë sepse shpeshherë ne ndodhemi në situata sikur bien nga qielli, por në fakt, kjo është një përpjekje e gjithanshme dhe e përditshme dhe më vjen shumë mirë që sot në çdo cep të Qendrës Spitalore Universitare ndjehet transformimi.
Jam i bindur që me ndërtimin e parkimit të madh që ka filluar, do të çlirohet përfundimisht edhe një tjetër hapësirë që psikologjikisht është shumë e rëndësishme për të gjithë ju dhe për pacientët, hapësira pa makina do të jetë vërtetë një bekim për gjithë komunitetin këtu të mjekëve, infermierëve, por edhe të pacientëve dhe gjithë pjesa jashtë e qendrës do të jetë një park i jashtëzakonshëm, ku ne do të punojmë edhe për të sjellë vepra arti, në mënyrë që ajo cilësi, ai standard i padiskutueshëm që duhet të ketë një qendër e tillë, të mund të arrihet qysh në impaktin jashtë ndërtesave.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për punën, duke ju falënderuar për kontributet dhe vëmendjen tuaj dhe duke ju siguruar që pavarësisht se ne i kemi rritur pagat në mënyrë të ndjeshme, nuk kemi mendimin që ju jeni shumë të kënaqur dhe jemi të bindur që do ta mirëprisnit një rritje tjetër.
Ju lë me kaq këtu, por jini të sigurt që këtë e kemi shumë mirë parasysh edhe pa na e thënë edhe kur pyesim dhe thoni “Mirë mo mirë, nuk jemi dhe aq keq” e kuptojmë shumë mirë që ka dhe më mirë dhe patjetër me autonominë spitalore dhe me kontributin e pashmangshëm të qeverisë, më herët se vonë, përsëri do të bëjmë një rritje pagash për mjekët dhe infermierët.
Faleminderit!