back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuDrejtësiaSi u bënë pronarë njerëzit e drejtësisë e politikës në “Malin e...

Si u bënë pronarë njerëzit e drejtësisë e politikës në “Malin e Shëngjinit”/Pse prokurorët pushojnë kallëzimet

Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar problemi i pronave në Lezhë, më specifikisht rasti i fisit Palokaj, që janë përballur me të gjitha rrugët dhe nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje për të gëzuar pronat e tyre.

Prona e Nik Palokaj ndodhet në “Mali Shëngjin”. Nik është njëri prej trashëgimtarëve të fisit Palokaj dhe gjendet rreth 100 metra distancë në vijë ajrore nga Porti i Shengjinit.

Sipas ekspertëve të pasurive të paluajtshme, kjo zonë së bashku me “Rana e Hedhun” ka potencial të lartë zhvillimi.

“Drejtimi tani është te “Rana e Hedhun”, është çmimi më i lirë sepse një m2 truall për ta blerë shkon 60-70-80 euro në Ranën e Hedhun ndërsa në Shëngjin e kemi nga 70-100-150 euro/m2…

Për të bërë një kompleks apo një hotel, ti nuk mund të marrësh lejen në qoftë se ka mbivendosje, në qoftë se ka pretendent nga të tretët”, shprehet Gjin Gjoka.

Duke vëzhguar këtë sipërfaqe toke kupton se zona nuk ka potencial vetëm për turizëm apo mundësi për të bërë qendra spitalore për personat me probleme shëndetësore.

Por largësia nga Porti i Shëngjinit të bën të kuptosh se bllokimi i kësaj prone nuk lidhet vetëm me interesat e disa personave, por kemi bashkërendim të grupeve të interesit deri në bashkëpunim me grupe kriminale. Këto grupe deri më sot kanë treguar se kanë qenë më të fortë për urdhrat ndaj administratës dhe zyrtarëve të drejtësisë, të cilët në vend që t’i kthejnë pronën Palokës, sipas vendimit të gjykatës, vazhdojnë ta sorollasin atë.

Bllokimi i kësaj prone të bën të dyshosh se në prapaskenë për pronat e Lezhës zhvillohet lufta për territorin e portit, i cili jo shumë larg nga sot do të ketë rëndësi më të madhe strategjike për shkak të investimeve.

Por kush është zanafilla e këtij problemi?

Në episodin e kaluar, “Vetting” evidentoi se Prokuroria dhe Gjykata që trajtuan çështjen e fisit Palokaj duhet të kishin thelluar hetimet për të shmangur ngërçin që vazhdon edhe sot mbi pronën me prokurën e fallsifikuar.

Avokate Margarita Kola thekson “unë shoh mjaft vendime që as Gjykata nuk shprehet në dispozitivin e vet, në urdhërimet e veta për pastrimin e veprave penale, as prokurori nuk u kërkon dhe u është dashur njerëzve që të kuptojnë pas disa vitesh, që ai njeriu me të drejtë  thotë: Pse nuk u çregjistrua prona e atij tjetrit, i cili doli që dokumenti me të cilin e kishte regjistruar ishte dokument i fallsifikuar”.

Ky rast është gjykuar nga gjykatësi i Lezhës Jak Ndoka, i cili është përjashtuar nga vetingu që prodhoi reforma në drejtësi. Në vitin 2022, Ndoka u përjashtua pasi Komisioni ngriti dyshime se gjyqtari i Lezhës kishte deformuar të vërtetën për transaksionet në shitjen e një apartamenti të vjetër në Lezhë, për të justifikuar burimet financiare për blerjen e disa pasurive në këtë rreth.

Sipas ekspertëve të ligjit, edhe pse prokurori i çështjes, Arben Agovi duhet të kishte kërkuar asgjesimin e produktit të veprës penale, po ashtu edhe Gjykata duhet të kishte kërkuar vet asgjësimin e tyre, në këtë rast të prokurës që është vërtetuar se është e falsifikuar.

Avokati  Mevlut Derti  shprehet se në qoftë se nuk e kërkon prokurori, detyrimisht në vendimin që shprehet dhe vet Gjykata që do të bëhet asgjesimi i kësaj prokure, të cilat për të gjitha veprimet e kryera duhet të konsiderohen nul dhe duhet të kthehen në gjëndjen e mëparshme.

Edhe pse Prokuroria nuk asgjesoi dokumentin e falsifikuar, Nika zbuloi se ai kishte bërë disa herë kallëzime te Prokuroria e Lezhës pasi po i tjetërsohej prona me prokurën e fallsifikuar nëpërmjet Kadastrës.

“Në 6/12/2012 janë hap regjistrimi, janë bërë 46 transaksione për një ditë dhe në moment kur kanë përfunduar këto, i ka mbyll prapë ish Drejtori Ndue Vathi. Iku Ndue Vathi, erdhi Nikolin Shtjefni”, thekson Nik Palokaj.

Megjithatë ajo që hedh dyshime të forta për implikimin e Zyrës së Regjistrimit lidhet me emrat e implikuar në kryerjen e transaksioneve mbas vendimit të gjykatave, ku janë kryer veprime për shitblerjen e këtyre trojeve në vitin 2012.

Në vitin 2014, Nika merr një dokument nga kadastra Lezhë duke zbuluar se si janë kryer një mori transaksionesh mbi pronën e fisit Palokaj, ku detajet kompromentuese lidhen me emra që janë bërë pronarë të rinj të tokës.

Sipas Nik Palokaj, personat që qëndrojnë mbas këtyre transaksioneve janë njerëz me ndikim si ish prokurorë, ish deputetë dhe ish kryetar komunash.

“U bë pronar ish kryeprokuror i Lezhës dhe deputeti i zonës, që i morën në mbrojtje, Gjovalin Kadeli”, shprehet Nik Palokaj.

Gjin Nik Leka është kryeprokuror i Lezhës dhe Gjovalin Kadeli është ndarë nga jeta. Edhe këta u bënë pronarë duke mbrojtur këta (të arrestuarit), duke i nxjerrë prej burgut.

Në listë është ish- kryeprokurori i Lezhës, Gjin Niklekaj me familjarët e tij. Gjin Niklekaj ka qenë drejtues i Prokurorisë Lezhë dhe momentalisht ka një zyrë avokatie në Tiranë.

Por lista nuk mbaron me kaq sepse aty gjendet edhe Arjan Qafa, ish-gjyqtar dhe ish inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i shkarkuar nga procesi i vetingut prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 17 shtator 2020, pasi u konstatua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Edhe pse iu grabit prona, edhe pse vazhduan transaksionet, Nik Palokaj i është drejtuar disa herë prokurorisë për kallëzim sa herë që informohej se mbi tokën e tij kryheshin veprime për tjetërsimin e pronësisë.

“Kam bërë nja dhjetë kallëzime, sa herë i diktoja duke më shitur pronën, unë i bëja kallëzime në prokurori, prokuroria ma mbyllte”, shprehet Palokaj.

Kallëzimin e fundit e ka bërë në vitin 2016, ku prokurori i ngarkuar me çështjen ka qenë Erjon Shehaj, i cili aktualisht është kryeprokurori i Prokurorisë Lezhë.

Sipas vendimit nga prokurori Shehaj, personat e denoncuar nga Palokaj nuk kanë kryer veprime me prokurën e fallsifikuar, por i është referuar vendimit të 2006. Edhe pse vihet në dijeni  për prokurën e fallsifikuar, prokurori Shehaj nuk merr asnjë vendim për asgjesimin e produktit të veprës penale.

Avokati Mevlut Derti  theksoi se ajo që është e rëndësishme për prokurorin e çështjes, menjëherë ai duhet të bëjë sekuestrimin, pra asgjesimin e prokurës, e cila është një element shumë i rëndësishëm që kanë ardhur të gjitha këto parregullsi.

“Prokurori i ri mund të kërkojë edhe ndjekje penale për ish prokurorin e mëparshëm…”, thekson Derti.

Sipas ekspertëve ligjorë, kur prokurorët ose gjykata ka dijeni për raste të tilla duhet të veprojë konform ligjit pasi prokura fallso mund të paraqesi pengesa për regjistrimin e pronës.

Avokate Margarita Kola thekson se “në rastin kur kemi një dokument të fallsifikuar, prokurori  nuk do kërkojë vetëm veprën penale të mashtrimit ose të fallsifikimit, por prokurorët vë re në shumë raste nuk kërkojnë pastrimin e produkteve të veprës penale.”

Sipas Nikës, prokurori që është marrë me kallëzimet e tij ka patur ndikim nga ish drejtuesit e prokurorisë Lezhë dhe për këtë arsye prona e tij vazhdon të qendrojë  e bllokuar.

“Një ditë prej ditësh i them atij prokurorit: si ka mundësi mor burrë, ti vet e thua, e shpreh “të janë vjedh pronat, e kanë bo transaksione, e kanë bërë këtë e këtë edhe thua mos të fillojnë ato”, ngaqë ishte në mënyrë shoqërore.

Më tha “ti ke shumë të drejtë, por shefat tanë na kanë dhënë urdhër mos të merrem njëherë me atë punë.

Sepse ishte Përparim Vuka, ky ka tokën, Gjin Nik Leka, Mark Nik Leka kanë tokën aty, edhe një që ka punuar në KLGJ në Tiranë, edhe ai ka tokën këtu. Pukian është, tash e ka hequr vetting prej pune, e ka shkarkuar Vetting. Të tërë kanë marrë tokë këtu, kush ka patur dikë në shtet, për me i mbrojt këta, e kanë marrë”, shprehet Nik Palokaj.

Pra, sipas Nikës vet kryeprokurori aktual i Lezhës, Shehaj mund të ketë qenë i ndikuar për të kryer hetime të thelluara për këtë cështje. Në vendimin për pushimin e çështjes, prokurori Shehaj ka bashkuar tre kallëzimet e Nikës për Kadastrën për shpërdorim detyre në një të vetme, dy të vitit 2012 dhe një të vitit 2014, duke i pushuar sepse sipas tij nuk ka patur prova për shpërdorim detyre për punonjësit Ndue Vathi, Agim Ibraj dhe Mirel Ndoka.

Por vetëm raporti i Kontrolli i Lartë të Shtetit për ish regjistruesin Ndue Vathi ka gjetur disa shkelje për këtë të fundit ndërkohë që prokurori nuk ka konstatuar asnjë element për shpërdorim detyre pavarësisht akuzave nga Nik Palokaj.

“Ai prokurori që vjen dhe thotë se kam njerëz lart, ai do të të dekurajojë, ai do të thotë “mos u lodh, mos u përpiq, ik,lëre, dorëzohu, largohu”, shprehet Endri Shabani.

Por kjo nuk e ka dekurajuar Nik Palokaj të kërkojë pronën pasi ka bërë vazhdimisht kallëzime dhe e ka ngritur problemin e vet në media.

Por kush është kryeprokurori Erjon Shehaj?

Erjon Shehaj e ka filluar karrierën në drejtësi si oficer i Policisë Gjyqësore dhe është emëruar prokuror në qershor të vitit 2012 dhe në vazhdim ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Rrethit Lezhë.

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, në deklarimin për herë të parë në vitin 2004, Erjon Shehaj nuk deklaronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare kap vlerën e 11.1 milionë lekëve.

Kryeprokurori i Lezhës familjarisht ka pasuri të paluajtshme me vlerë 8.5 milionë lekësh, kursime në cash prej 1.4 milionë lekësh, likujditete bankare prej 854 mijë lekësh si dhe një automjet me vlerë 300 mijë lekë të deklaruara deri në vitin 2022.

Nga kontrolli aritmetik/logjik për 9 vite, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Në vitin 2014, kryeprokurori rezulton me burime të pamjaftueshme financiare në shumën 815 mijë lekë. Në këtë vit, ai deklaron revokimin e një kontrate sipërmarrje të vitit 2009 dhe lidhjen e një kontrate të re premtim shitblerje të një apartamenti 84 m2 plus 10 m2 sipërfaqe e përbashkët, me vlerë të shtuar prej 13,500 eurosh.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” huamarrjet e përdorura si burim për krijimin e pasurisë.

Megjithatë në prill 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli vendimin e konfirmimit në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj. Ndërkohë, ai u njoftua se Komisioni ka vendosur që të transferojë për verifikime të metejshme në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dy çështje, njërën për veprën penale “goditja për shkak të detyrës” dhe tjetrën që lidhet me nje kallëzim penal të kryer ndaj Shehaj për “shpërdorim detyre”.

“Këta do ti vjedhin pronat jo vetëm sepse janë të pangopur, por sepse e kanë ndërtuar sistemin, ju duhet ai drejtori i kadastrës, i duhet ai grupi kriminal, i duhet ai gjyqtari ose prokurori që i mbyll letrat…”, thekson Endri Shabani.

Më herët, ai ka qenë oficer i policisë gjyqësore në ish-Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa gjatë punës së tij si prokuror në Lezhë ka hetuar një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë dhe tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, ku u prangosën disa persona, mes të cilëve dhe zyrtarë publikë.

Nga lista e transaksioneve që janë kryer brenda 24 orëve, “Vetting” ka konstatuar një person me gjeneralitetet “Gjon Pjeter Preci”, i cili sipas të dhënave nga gjendja civile nuk ekziston.

“Në rastin që ju morët është rasti kur është bërë në mashtrim të ligjit dhe është bërë në kundërshtim me ligjin sepse është mashtruar një organ sepse ai personi që ka kryer transaksionin mungon fare…”, shprehet avokate Margarita Kola.

“Vetting” kontaktoi Drejtorinë e Përgjithshme të Gjëndjes Civile për të marrë informacion për këtë subjekt dhe në kthim-përgjigje rezultoi se nuk ekzistonte. Pra, dokumenti që Nik Palokaj ka vendosur në dispozicion prokurorit ka patur element të fallsfikimit të veprimeve pasi personi në fjalë nuk ekziston.

Ndërkohë që e gjithë zona ku ka prona Nik Palokaj është në zhvillim, atij i duhet vetëm të presë.  Ai është vetëm një prej ish pronarëve që në këto vite ka parë të tjerët t’i gëzojnë pronën, duke iu dorëzuar regjimit të ri, regjimit të administratës së korruptuar, që shpërfill edhe vendimet e gjykatës. Nika sheh çdo ditë dhe pret…

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat