Dy seancat e mbajtura në dy institucionet më të rëndësishme evropiane, Këshillin e Evropës dhe PPE, janë tejet të rëndësishme në 34 vite rrugëtim të PD. Kështu u shpreh kryetari i PD, Sali Berisha në një dalje për mediat këtë të enjte, teksa tha se kjo javë ishte e paprecedente për qeverinë shqiptare, pasi narkodiktatura e Edi Ramës, mori goditjen më të rëndë në tempujt e demokracisë evropiane.
Sipas Berishës, këto zhvillime madhore në historinë e Shqipërisë u censuruan në mënyrë më të papërgjegjshme nga mediat dhe zyrat e qeverisë, ndërsa e vuri theksin te kambanat që po bien për narkoshtetin. Është e paprecedentë gjithashtu për kryedemokratin Berisha, që KiE dhe PPE, të kenë në agjendën e tyre Shqipërinë, problematikat e saj madhore, zgjedhjet e dhunuara sistematikisht, krimin e organizuar që ka kapur majën e shtetit, terrorin politik dhe shtypjen e opozitës.
Kryetari i PD, Sali Berisha ka treguar vendosmërinë e Evropës, që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira. Në daljen për mediat nga selia blu, Berisha teksa iu referuar seancën në Parlamentin Evropian, tha se ajo u zhvillua për Shqipërinë pas përdorimit të Dushkut për dhunimin e zgjedhjeve në vitin 2002, duke konkluduar me një rezolutë historike për Shqipërinë.
Sipas liderit demokrat, këmbëngulja e BE, që vendi ynë të mbajë zgjedhje të lira, është ogur i bardhë në veçanti për opozitën shqiptare, e cila me prezencën e saj në seancën e së mërkurës, paraqiti me vërtetësi të madhe të vërtetat lakuriq të realitetit të narkoshtetit të Edi Ramës.
‘U shpreh shqetësimi më i madh dhe u denoncuan pjesëmarrja aktive e krimit të organizuar në krah të Edi Ramës, u denoncua manipulimi i madh me listat, por edhe angazhimi i baronëve të drogës dhe krimit për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë’, u shpreh Berisha.
Gjatë një dalje për gazetarët kreu i opozitës deklaroi se, ‘Brukseli ishte dje në anën e shqiptarëve, nuk mund t’u mohohet atyre e drejta e një procesi ligjor me reformën e Sorosit’.
‘Nuk do mund t’ua shesë më dështimin spektakolar, duke u mohuar shqiptarëve të drejtën e një procesi ligjor me reformën e Xhorxh Sorosit. Kjo është një shpresë për një mbështetje të fuqishme të këtyre institucioneve për reformën dhe për t’u dhënë një përgjigje sa më të shpejtë kësaj gjendje katastrofale që lidhet me të drejtën e shqiptarëve për të pasur një proces të drejtë ligjor’, theksoi Berisha gjatë konferencës me gazetarët.
Lideri demokrat, Sali Berisha teksa dha detaje nga seanca në Parlamentin Evropian, me fokus Shqipërinë, u shpreh se gjatë seancës u denoncua me të madhe frika e narkomazhorancës për komisionet hetimore parlamentare, për të cilën theksoi se kjo ngjalli habi të madhe edhe nga euroligjvënësit, se si mundet të bllokohen komisionet hetimore parlamentare.
Për kryedemokratin Sali Berisha, në seancë doli në pah, e gjithë shëmtia e narkoshtetit shqiptar që nuk respekton asnjë ligj, asnjë vendim dhe asnjë nen të Kushtetutës së vendit, duke shtuar se po në atë seancë ‘u gris’ pasaporta evropiane e Edi Ramës.
‘Dje ata kanë marrë një paralajmërim më të fuqishmin që kanë marrë ndonjëherë se ata po vëzhgohen, se ata po mbikëqyren, se ata do ndëshkohen. Shqipërisë iu kërkua që të mos kërcënojë opozitën, të respektojë rregullat’, theksoi ndër të tjera lideri i opozitës Sali Berisha në deklaratën për mediat.
‘Do të jetë vota e shqiptarëve jashtë vendit që do të ketë rolin përcaktues në 11 maj, shpëtimin e Shqipërisë nga narkodiktatura’. Kështu deklaroi kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë një konference me gazetarët në selinë e PD.
‘Dhe ju garantoj unë ju, se ky vit, si viti i diasporës do të jetë vota e shqiptarëve jashtë vendit që do të ketë rolin përcaktues në 11 maj, shpëtimin e Shqipërisë nga narkodiktatura’, tha Berisha. Një ditë fitoreje, e cilësoi kryetari i PD, Sali Berisha seancën në Parlamentin Evropian, që sipas tij iu çjerr maska Ramës dhe narkoshtetit të drejtuar prej tij.
Interesimit të medias, Berisha tha se datë e seancës në PE, është një shtytje më e fuqishme akoma për demokratët, për të siguruar fitoren më 11 maj. ‘Ju dhe gjithë shqiptarët e panë, e morën vesh qëndrimin e prerë të komunitetit ndërkombëtar, vendosmërinë e tyre për të mbështetur me të gjithë potencialin që kanë, votën e lirë të shqiptarëve’, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës për mediat.
FJALA E PLOTE:
Kjo javë ishte e paprecedentë në 34 vite udhëtim të PD-së.
Këtë javë, narkodiktatura e Shqipërisë, e Edi Ramës, mori goditjen më të rëndë në tempujt e demokracisë evropiane me dy seancat dëgjimore në dy tempujt më të mëdhenj të demokracisë në Europë, të parlamentarizmit në Europë.
Kurrë në 34 vite nuk ka ndodhur asnjëherë dhe për asnjë vend që në një javë të mbahen dy seanca të një rëndësie të veçantë, të kushtuar të njëjtit vend, në Këshillin e Europës, në grupet parlamentare të PPE dhe grupin parlamentar të europianëve konservatorë, dhe dje në një seancë tjetër kushtuar po Shqipërisë, kushtuar po të njëjtave problemeve, në Komisionin e Jashtëm dhe të Sigurisë të Parlamentit Europian.
Këto zhvillime madhore në historinë e Shqipërisë u censuruan në mënyrë më të papërgjegjshme nga mediat dhe zyrat e qeverisë.
Por të dashur qytetarë dhe qytetare, këto zhvillime të pashembullta për një vend, në një hark kohor treditor, dëshmojnë interesin e madh dhe absolut të këtyre institucioneve kryesore të lirive, të drejtave njerëzore, zgjedhjeve të lira dhe sigurisë në Europë dhe në BE.
Këtyre institucioneve kryesore të parlamentarizmit.
Për narkoshtetin po bien kambanat. Kjo është e vërteta e këtyre sesioneve të jashtëzakonshme.
E vërteta është se nuk ka ndodhur kurrë në historinë 34-vjeçare që këto institucione të kenë në axhendën e tyre Shqipërinë, problematikat e saj madhore, zgjedhjet e dhunuara sistematikisht, krimin e organizuar që ka kapur majën e shtetit, terrorin politik dhe shtypjen e opozitës.
Nuk ka veçse një mirënjohje të pakufishme ndaj drejtuesve të këtyre institucioneve, që përparësuan në seanca të veçanta, jashtë programit të parashikuar, problemet madhore aktuale të Shqipërisë.
Unë u informova ju lidhur me seancat që u zhvilluan në grupet parlamentare të qendrës së djathtë dhe të djathtës konservatore në Këshillin e Europës. Takimin që zhvillova me presidentin e Asamblesë Parlamentare të KiE, zotin Rusopulos, takimin me delegacionet e disa vendeve anëtare.
Por dje, në Parlamentin Europian, në institucionin më të fuqishëm vendimmarrës të Europës, në institucionin më të fuqishëm ligjbërës të Europës, në komisionin më të rëndësishëm të këtij institucioni, atë për punët e jashtme dhe sigurinë, u zhvillua një seancë, e cila është e llojit të vet shumë e rrallë.
Një seancë e tillë u zhvillua për Shqipërinë pas përdorimit të Dushkut për dhunimin e zgjedhjeve në vitin 2002 dhe konkludoi me një rezolutë historike për Shqipërinë.
Europa është e vendosur që Shqipëria të bëjë zgjedhje të lira.
U them shqiptarëve me bindjen më të thellë, Europa është e vendosur t’i japë atë që meriton të gjithë atyre që kërkojnë t’i privojnë shqiptarët nga e drejta e votës së lirë dhe tentojnë t’u kontrollojnë atyre vullnetin dhe ky është një ogur i bardhë shumë për çdo shqiptar.
Por ky është ogur i bardhë në veçanti për opozitën shqiptare, e cila ishte e pranishme, paraqiti me vërtetësi të madhe të vërtetat lakuriq të realitetit të narkoshtetit të Edi Ramës.
Dje në seancën kushtuar Shqipërisë, në periudhën parazgjedhore, përjashtim në llojin e vet, ndoshta e pazhvilluar ndonjëherë për zgjedhjet në ndonjë vend, por me vullnetin më të mirë që shqiptarët të votojnë të lirë.
Pati debate të gjera, pati debate aktive, në të cilat u denoncuan dhe u shpreh shqetësimi i madh para së gjithash për zgjedhjet.
U shpreh shqetësimi më i madh për industrinë e blerjes së votës të Edi Ramës.
U shpreh shqetësimi më i madh dhe u denoncuan pjesëmarrja aktive e krimit të organizuar në krah të Edi Ramës.
U denoncua manipulimi i madh me listat, por edhe angazhimi i baronëve të drogës dhe krimit për të deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Seanca e djeshme është historike.
Edi Rama mund ta censurojë këtu me mediat e tij të mëdha, por ajo rezonon fuqishëm në Europë dhe në botë.
Në këtë seancë, parlamentarët qëndruan fuqishëm në anën e qytetarëve shqiptarë që kanë humbur të drejtën e një procesi të duhur ligjor.
Rezonoi në të katër anët e parlamentit stoku i dosjeve për 150 mijë dhe disa të dhëna të tjera më faktojnë që në të gjithë nivelet e sistemit janë shumë më tepër se 150 mijë, çka për ata nënkuptonte se Shqipëria ka drejtësi të munguar.
Shqiptarët shqiptarë janë me drejtësi të munguar dhe askush nuk mund ta fshehë këtë.
Parlamenti shqiptar qëndroi në anën e qytetarëve shqiptarë.
Nuk do mund t’ua shesë më dështimin spektakolar, duke u mohuar shqiptarëve të drejtën e një procesi ligjor me reformën e Xhorxh Sorosit.
Kjo është një shpresë për një mbështetje të fuqishme të këtyre institucioneve për reformën dhe për t’u dhënë një përgjigje sa më të shpejtë kësaj gjendje katastrofale që lidhet me të drejtën e shqiptarëve për të pasur një proces të drejtë ligjor.
Të mbrosh këtë reformë është njëlloj si të thuash, qytetarët shqiptarë nuk meritojnë drejtësinë.
Por këtë nuk mund ta thotë askush.
Në burgjet shqiptare është një katastrofë e vërtetë dhe kjo pasojë e kësaj reforme dhe karakterit policesk.
Këto u denoncuan fuqishëm në Europë.
Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se një e treta e të burgosurve janë plotësisht të pafajshëm, pa asnjë akuzë.
Se mbi dy të tretat e tyre janë të padënuar, për definicion, të pafajshëm dhe se norma e standarde të tilla nuk kanë ekzistuar as në diktaturën më të zezë staliniste në Shqipëri.
Ky rekord është ndër më të zinjtë në Europë.
Ndjehem shumë mirënjohës ndaj atyre që reaguan në Strasburg dhe Bruksel ndaj kësaj situate katastofale të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë.
Në Bruksel u denoncua me zë të lartë shkelja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si një gjë e pakonceptueshme, si një gjë e cila nënkupton asgjësimin e shtetit ligjor.
Në qoftë se vendimet e gjykatës më madhore të vendit nuk zbatohen, kjo në njëfarë mënyre përbën një grusht shteti, ku padrinoja e Shqipërisë ka marrë të gjitha pushtetet.
Kjo ishte një habi, por opozita ka bërë punën e saj dhe këto dy gjëra madhore ndodhin pas tre rezolutash të mëdha ndërkombëtare, të cilat si të thuash, u komentuan se janë partiake, por mos harroni se janë partitë që qeverisin botën.
Janë parti që dominojnë në këto institucione që organizuan këto ngjarje madhore për Shqipërinë.
Dje në Parlamentin Europian u denoncua me të madhe frika e narkomazhorancës për komisionet hetimore parlamentare, një habi e madhe se si mundet të bllokohen komisionet hetimore parlamentare.
Vetëkuptohet që ata e dinë mirë se komisionet hetimore parlamentare, Edi Rama i bllokon i tmerruar nga ajo që pa me komisionin hetimor parlamentar të djegësave, në të cilat ai doli më blozë se bloza. Kjo është e vërteta.
Pra, në seancë dolën në shesh, në pah, doli e gjithë shëmtia e narkoshtetit shqiptar që nuk respekton asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë nen të Kushtetutës së vendit.
Nuk mund të kem asgjë tjetër veçse mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata që organizuan në radhë të parë këtë ngjarje madhore në mbështetje të demokracisë në Shqipëri, të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, në denoncim të hapur të dhunuesve të kësaj vote, të Edi Ramës dhe shpellave të tij të krimit që i josh në zgjedhje.
Dje ata kanë marrë një paralajmërim më të fuqishmin që kanë marrë ndonjëherë se ata po vëzhgohen, se ata po mbikëqyren, se ata do ndëshkohen.
Shqipërisë iu kërkua që të mos kërcënojë opozitën, të respektojë rregullat.
Shqipëria ishte dje vendi i vetëm në Europë që ka në procese politike tre liderë të opozitës, me qëllimin e vetëm që Edi Rama të mund të marrë një mandat të katërt mbi krimin.
Unë mendoj se kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për çdo qytetar shqiptar.
Dje, pasaporta evropiane e Edi Ramës u gris.
Mashtrimin e tij me pasaportën evropiane mori fund.
Maskat ranë të dashur qytetarë dhe qytetare, pavarësisht se Edi Rama me zyrat e tij e fshehu, nuk transmetoi seancën dëgjimore të zhvilluar në Parlamentin Europian, në komisionin ku ishte i pranishëm i gjithë spektri politik i Parlamentit Europian, i gjithë spektri politik.
Dhe përpiqet që me censurë t’i injorojë, garantoj çdo shqiptar se ato do jehojnë fuqishëm gjersa shqiptari i fundit të votojë qytetar i lirë në këtë vend.
Faleminderit shumë atyre që zhvilluan këto seanca të një rëndësie historike për Shqipërinë.