back to top
18.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetBerisha me gratë: Mediat po e censurojnë opozitën/ Katër TVSH-të janë njësoj

Berisha me gratë: Mediat po e censurojnë opozitën/ Katër TVSH-të janë njësoj

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një takim me gratë, theksoi rëndësinë e kësaj gare zgjedhore duke e cilësuar si një sfidë të madhe për opozitën. Berisha falënderoi veçanërisht gratë dhe vajzat që janë pjesë e kësaj gare, duke theksuar se kjo është lista më e mirë që i është paraqitur ndonjëherë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë, me individë të përgatitur, me arritje konkrete dhe përfaqësi dinjitoze.

Lideri opozitar, Sali Berisha akuzoi sistemin aktual zgjedhor, duke e quajtur të padrejtë dhe të sanksionuar ligjërisht, pasi ka ndarë deputetët në dy kategori në mënyrë të paarsyeshme.

Berisha deklaroi se opozita ka një epërsi të madhe, jo vetëm për shkak të listës cilësore të kandidatëve, por edhe falë programit që ofron, një program i plotë dhe i realizueshëm, që sipas tij jep zgjidhje për të gjitha problemet madhore që janë krijuar nga 12 vite keqqeverisje. Ky program i Shqipërisë Madhështore”, fillon me paketën e dhembshurisë dhe synon ta kthejë Shqipërinë në epiqendër të teknologjive të larta në rajon, deklaroi Berisha.

Kryetari i PD, Sali Berisha shtoi se ky program është pritur mirë nga qytetarët dhe se nuk ka asnjë të panjohur në zbatimin e tij, përkundrazi, do të nisë të realizohet brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re.

Berisha u ndal edhe tek sfidat e fushatës, duke e quajtur censurën nga mediat kombëtare si problemin më serioz. Sipas tij, katër TVSH-të (duke nënkuptuar televizionet kryesore si TVSH dhe Top Channel) janë kthyer në një konglomerat që censurojnë opozitën dhe i shërbejnë interesave të qeverisë. Megjithatë, Berisha u shpreh optimist se kjo censurë është e kapërcyeshme, dhe zgjidhja qëndron tek takimi i drejtpërdrejtë me qytetarët. Ai solli si shembull fushatën e fundit të Donald Trump në SHBA, i cili, ndonëse u përball me censurë të ashpër nga mediat dhe rrjetet sociale, ia doli të mbështetet te takimet e drejtpërdrejta me njerëzit.

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi rëndësinë e takimeve me qytetarët si mënyra më efektive për të kapërcyer censurën mediatike dhe për të fituar zgjedhjet më 11 maj. Ai kritikoi sondazhet dhe qeverinë, duke e akuzuar Ramën për mashtrime dhe kopjim të programit të opozitës.

Berisha foli edhe mbi premtimin, faljen e të gjitha gjobave dhe kamatave për qytetarët dhe bizneset e vogla nga viti 1992 deri më 11 maj 2025, si pjesë e programit PD-ASHM, për të çliruar qytetarët nga padrejtësitë financiare të së kaluarës.

Kryetari i PD, Sali Berisha, kritikoi ashpër gjuhën denigruese të përdorur në fushatën e kryeministrit Rama, duke e cilësuar si një fushatë boshe, pa përmbajtje dhe pa asnjë lidhje me hallet e qytetarëve.

Përballë kësaj situate, lideri opozitar, Sali Berisha prezantoi një politikë demografike të fortë nga opozita: 70 euro bonus për fëmijën e parë, 60 euro për të dytin dhe mbulimin nga shteti të të gjitha shpenzimeve për fëmijën e tretë dhe të katërt deri në moshën 23 vjeç. Ai theksoi se opozita do t’i trajtojë me seriozitet maksimal sfidat e familjes shqiptare dhe se këto masa janë pjesë e një vizioni të qartë për të ndalur shpopullimin dhe për të mbështetur familjen.

FJALA E PLOTË

Një përshëndetje të përzemërt për të gjitha ju këtu, kandidate për deputete për qytetin e Tiranës.

Një përshëndetje të përzemërt të gjitha vajzave dhe grave në mbarë Shqipërinë që garojnë për deputete në Kuvend nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Përshëndetje shumë të përzemërt gjithashtu të gjithë stafeve tuaja, që po bëjnë gjithçka për një fitore spektakolare të opozitës shqiptare në këto zgjedhje.

Kjo është një garë e fortë.

Sistemi e ka transformuar në një garë në njërin aspekt, në një garë që ligjërisht nuk duhej të ishte e tillë.

Por padrejtësia ligjore, e sanksionuar, ka bërë që të ndahen në mënyra të ndryshme, të ndahen në dy grupe deputetet.

Por nga ana tjetër kjo është një garë prove shumë e çmuar, shumë e rëndësishme, e cila bën mobilizimin maksimal të forcave që ka PD dhe aleatët e saj për një sukses të vërtetë me 11 maj.

Ne kemi një epërsi të madhe.

Lista është lista më e mirë që i është paraqitur ndonjëherë Tiranës dhe Shqipërisë, qoftë kjo e grave dhe vajzave, qoftë kjo e burrave dhe djemve.

Ne në këtë garë konkurrojmë me zonja, zonjushe të shquara, në një identitet të fortë, individualitet të vërtetë dhe arritje të pamohueshme.

Në këtë aspekt theksoj se nuk kanë pasur ndonjëherë qytetarët e Tiranës një përfaqësi kaq të aftë, kaq të mirë për ta në parlamentin e ardhshëm.

Epërsia jonë tjetër e pamohueshme është programi ynë.

Ne kemi një program me të cilin me kompetencë të plotë ne u japim përgjigje të gjitha problemeve madhore të krijuara nga keqqeverisja e 12 viteve të asaj që e quan veten rilindje, por në fakt provohet e kundërta.

Ne kemi një projekt, projektin e Shqipërisë Madhështore, i cili fillon me paketën e dhembshurisë dhe përfundon me Shqipëria, epiqendër e teknologjive të larta në rajon.

Ky program, siç e shihni, ka pasur një impakt pozitiv dhe në tërësinë e tij as kritikët absurdë, askund nuk ka gjetur refuzim, përkundrazi është pritur mirë.

Është pritur me kënaqësi.

Është e sigurt që ky program është 100 përqind i realizueshëm.

Kjo ka rëndësi të madhe. E them këtu para jush, se në qoftë se në vitin 2005 ne paraqitëm një program, ai kishte të panjohurat e veta.

Kurse ky nuk ka të panjohura.

Ne kemi modelin e zbatimit të tij 100 përqind.

E zbatimit të tij në 100 ditët e para aq sa është zbatuar në 4 vite ndonjë program tjetër më parë.

Kështu që ka një rëndësi të jashtëzakonshme ta servirim këtë program.

Ne përballemi me vështirësi të shumëllojta, por kur jemi në fushatë elektorale, ajo që është më seriozja, është censura.

Ju, mediat iu censurojnë.

Opozitën, katër TVSH-të bis e censurojnë.

Këtu nuk merr vesh kush është TVSH është TVSH apo Top-TVSH, pra janë të gjitha një konglomerat kush e kush të censurojë më shumë opozitën dhe kush e kush t’i shërbejë më shumë qeverisë dhe favoreve që ajo u bën.

Fjala është kryesisht për mediat kombëtare.

Por historia ka treguar se sado e fortë të jetë kjo censurë, përsëri është e kapërcyeshme.

Dhe është e kapërcyeshme vetëm me takime me njerëzit.

Fushata e fundit e presidentit Donald Trump ka leksionin më të madh të saj, takimin me njerëzit.

Ai kishte një censurë të jashtëzakonshme, në tërësi nga të gjitha ato që quhen mainstream media, përveç njërit që ishte i lëkundur.

E keni parasysh se kishin vendosur gjigantët e rrjeteve sociale censurën. Dhe atë censurë e kishin kryesisht për Trump.

Natyrisht pollet ishin humbëset në historinë e njerëzimit sepse dolën institucionet më mashtruese të opinionit publik.

1.6 miliardë euro u shpenzuan nga kundërshtarët e presidentit Trump për polle, dhe që të gjitha përfunduan atje ku duhej të ishin sepse mashtruan kombin amerikan duke paraqitur fitimtar atë që nuk mund të fitonte.

Pra, kemi analogjira të vërteta.

Por, Partia Republikane dhe mbështetësit fituan vetëm duke takuar amerikanët.

Ata gjetën se me takime mund të ndërrohej mendimi i një të tretës së atyre që kishin mendim tjetër për të votuar.

Pra, takimi sipas rezultateve të kësaj fushate, është përcaktues dhe vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve.

Ata vendosën një sistem monitorimi individual, d.m.th monitoronin çdo takim të çdo mbështetësi të Partisë Republikane.

Kurrë ndonjëherë më shumë se sa këto javë që kanë mbetur nuk marrin peshë dhe rëndësi të jashtëzakonshme takimet, ju, takimet tuaja dhe të përfaqësuesve tuaj në shtabe.

Ndaj dhe ftesa ime, këshilla ime, sugjerimi im është takime, takime dhe vetëm takime.

Çfarë tregojnë, cila ëshët gjendja tek qytetarët?

Është një optimizëm shumë i madh.

Është një optimizëm po ta shprehim me terma reale, dy kate më i madh se ç’e mendojmë.

Është një optimizëm që nuk mbahet mend kur ka ekzistuar.

Ju e shihni vetë në takimet tuaja.

Unë konstatoj, nuk po flas vetëm për mitingjet, por për takimet që kam bërë në tregje, në rrugë, një klimë jashtëzakonisht miqësore.

Me një fjalë, qytetarët mezi presin programin tonë, fjalën tonë, vlerësimin tonë.

Ky është realiteti.

Ndaj dhe unë e kuptoj lodhjen, është faktor normal, por duhet të bëjmë gjithçka, të dalim mbi të dhe të shumëfishojmë takimet me qytetarët.

Strukturat e PD të tëra duhet të jenë në funksion tuajin, në shërbimin tuaj.

Duhet të bëjnë takime për ju dhe në emër tuaj.

Duhet t’u mbështesin ju fuqimisht.

Ne kemi program serioz. Shikoni çfarë ndodh në anën tjetër?

Ai fillimisht del para shqiptarëve sikur ka zbritur nga Marsi, sikur nuk ka qeverisur 12 vite, sikur nuk e di se ku është, nuk flet as për 12 vitet, as për 4 vitet që vijnë dhe paraqet një narrativë në të cilën kërkon të ngjasojë me një Big Brother apo diçka të tillë, duke presupozuar se njerëzit nuk kanë asnjë problem, asnjë hall.

Se as aktualisht, as në të ardhmen ata nuk ekzistojnë.

Me vulgaritetin e tij, me banalitetin e tij, ai kërkon të spostojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet jetike me të cilat ata përballen tek mashtrimet që ai kërkon të bëjë me tallavanë e tij.

Pastaj kthehet dhe kopjon programin.

Ju e patë, një ditë të bukur tha unë do vendos pensionin 200 euro. Po ne kishim dorëzuar ligjin një vit e gjysmë më para pikërisht për këtë, për minimumin jetik 200 euro.

Ai nuk e votoi, kur unë e ftova që hajde të mblidhemi urgjent dhe ta votojmë në parlament, ai e spostoi në vitin 2030.

Tani ai kalon tek pjesa tjetër e programit, falja e gjobave.

Ju e dini që ne kemi premtuar faljen e çdo gjobe për qytetarët shqiptarë që është vendosur para datës 11 maj e gjer në vitin 1992. Çdo gjobë, çdo kamatë zerohet, bëhet inekzistente për çdo gjë.

Duam t’i çlirojmë qytetarët shqiptarë nga makthet e padrejtësive që ata kanë përjetuar ndër vite.

Çfarë ndodh? Ne kemi falur kamatat, këta i kanë rikthyer kamatat. Nuk kanë ligj as moral.

Këta sot e kësaj dite i mbledhin dhe dëgjoja një ditë një qytetar që thoshte se më duhen 80 vite punë për të paguar kamatat që kam për energjinë.

Kështu që ne, jo vetëm qytetarëve, por ne do falim edhe gjobat e biznesit të vogël. Se edhe ai është viktimë e arbitraritetit dhe absurditetit të inspektorëve të qeverisë.

Jemi shumë të vendosur që të falim çdo gjobë, ai kërkonte amnisti për grupet kriminale, ne do bëjmë amnisti për qytetarët dhe bizneset e ndershme.

Ju e shihni, fushata e tij është një fushatë pa frut, pa asgjë.

Një fushatë me të cilën kërkon se si të kalojë nga një ditë në tjetrën me skandale të mëdha.

Një fushatë që kërkon të evokojë ose të lundrojë në përroin frojdian, por që nuk ka asgjë njerëzore, asgjë humane.

Një njeri që po bën kryefjali një javë rresht, po të ikin burrat një muaj dhe po të ikin gratë një muaj…

Problemi është se këto qenkan problemet e familjeve shqiptare, këto qenkan problemet e familjeve shqiptare sot?

Po çfarë problemi është po të ikë një muaj ky, po të ikë një muaj ai. Ata kanë problem në radhë të parë mirëqenien, shkollimin e fëmijëve, sigurinë e fëmijëve.

Një zonjë e re në Krujë më tha: çfarë do bëni ju për fëmijët Doktor, se unë këtu kam dy fëmijë, nuk ka kopsht, ka gjithsej vetëm dy kopshte në Krujë.

Pra, familje që detyrohen të përcjellin anëtarët e vet jashtë shtetit se nuk ka punë, nuk kanë ushqim, nuk u mjaftojnë të ardhurat.

Familje që konstatojnë se shkollat po degradojnë dhe se niveli i dijeve të fëmijëve të tyre në vend që të rritet, vetëm bie. Kjo është e vërteta.

Familje që pakësohën, pakësohen dhe vetëm pakësohen.

Unë isha dje në Korçë. Cilat ishin shifrat për Ersekën?

Erseka ka qenë 27 mijë banorë në vitin 2013. Erseka ka mbetur me 7 mijë banorë. Një largim masiv.

Dhe këta 7 mijë, e kuptoni vetë, po t’u bësh mesataren e moshës, del moshë tejet e thyer.

Erseka ka pasur vetëm një lindje në vitin 2023, qyteti.

Dhe asnjë fjalë nuk thuhet për këtë.

Ne kemi vendosur një politikë demografike shumë të fortë.

Ne do japim bonus për fëmijën e parë 70 euro.

Bonus për fëmijën e dytë, 60 euro.

Për fëmijën e tretë do jenë nga lindja gjer në 23 vjeç, të gjitha shpenzimet e shtetit. Po kështu fëmijën e katërt.

Pra, do përpiqemi të trajtojmë me seriozitetin më të madh problemet e krijuara të familjes.

Kështu që unë ftoj të mos bien në narrativën e tij, ta injorojmë.

Natyrisht, thashë edhe njëherë, ajo është një fushatë elektorale tallave, një fushatë elektorale banaliteti, bullizmi.

Flet me gjuhë të fortish, si Nuredin Dumani në sallë të gjyqit. Pastaj kujtohet se shkel çdo normë dhe standard, tërhiqet për të vazhduar të nesërmen me të njëjtat terma.

Të gjitha këto janë avantazhe për ne në kuptimin që qytetarët presin të dëgjojnë fjalën tonë, të dëgjojnë programin tonë.

Ndaj dhe u falenderoj shumë për punën që bëni dhe u inkurajoj që këto dy javë, këto tre javë që kanë mbetur, të shumëfishojmë energjitë tona.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat