Zëvendësshefi i stafit të udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë, janë përfshirë në bisedime me autoritetet ruse për evakuimin e tyre dhe të familjeve në rast se situata përkeqësohet.
Sipas raportimeve, një zyrtar i lartë rus ka kontaktuar zyrtarin iranian Hejazi dhe e ka siguruar se, në rast emergjence, ai dhe familja e tij do të evakuohen nga Irani përmes një korridori të sigurt.
Gjithashtu, raportohet se edhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë të Republikës Islamike kanë marrë telefonata të ngjashme, dhe disa prej tyre janë në proces të finalizimit të planit për largim nga vendi.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli ka informacione se “udhëheqësit e lartë të regjimit iranian po përgatisin valixhet e tyre”.
Në një videomesazh në gjuhën angleze, të publikuar të shtunën, Netanyahu u shpreh se udhëheqësit e Republikës Islamike “e ndjejnë çfarë po afrohet”.
“Do t’ju tregoj se çfarë do të kishte ndodhur po të mos kishim ndërhyrë,” shtoi ai. “Kishim informacion se ky regjim po planifikonte t’i dorëzonte armët bërthamore që po zhvillonte, forcave të tij terroriste. Ky ishte një kërcënim për të gjithë botën.”
Netanyahu theksoi gjithashtu se operacioni u realizua me “mbështetjen e qartë” të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.