Debate dhe përplasje në Kuvend për projektligjet dhe rolin e opozitës: Shehu akuzon mazhorancën për zvarritje, Peleshi kundërpërgjigjet
Seanca plenare e së hënës në Kuvendin e Shqipërisë nisi me tone të larta dhe akuza të ndërsjella mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Demokrati Tritan Shehu u shpreh i revoltuar për mënyrën sesi, sipas tij, shumica socialiste po zvarrit projektligjet e propozuara nga opozita, ndërsa kërkoi me ngulm miratimin e nismës së Partisë Demokratike për të njohur vetëm dy gjini – mashkull dhe femër – duke e cilësuar këtë si një mbrojtje ndaj familjes dhe moralit shoqëror.
“Nëse doni ta fundosni parlamentin në pushime të pajustifikuara, nuk keni të drejtë. Ju po shkatërroni anën procedurale, po shtyni projektligjet tona, si ajo për rezolutën për Srebrenicën dhe ligjin për njohjen e vetëm dy gjinive. Po dëmtoni rëndë familjen dhe shoqërinë,” – deklaroi Shehu nga foltorja e Kuvendit.
Ai theksoi se në seancat e mbetura duhet të miratohet ligji që përcakton njohjen ligjore vetëm të mashkullit dhe femrës, duke paralajmëruar se çdo vonesë është e qëllimshme dhe me pasoja shoqërore.
Në kundërpërgjigje, deputeti i Partisë Socialiste Niko Peleshi hodhi poshtë akuzat e opozitës duke theksuar se shumë projektligje nuk kanë avancuar në procedurë jo për faj të mazhorancës, por për shkak të mungesës së opozitës në komisionet parlamentare.
“Parlamenti nuk funksionon vetëm të enjten, por gjatë gjithë javës. Ju nuk merrni pjesë në komisione dhe pastaj kërkoni llogari këtu. Ne e bëjmë procesin edhe në mungesën tuaj. Duhet ta dinë qytetarët se shumë komisione nuk krijojnë dot kuorum, sepse përfaqësuesit e opozitës nuk paraqiten.” – u shpreh Peleshi.
Ai shtoi se pavarësisht mungesave të opozitës, mazhoranca do të vijojë punën dhe do të përmbyllë me sukses sesionin parlamentar.
Kjo përplasje vjen në një moment tensioni të rritur politik, ndërsa Kuvendi pritet të mbyllë sesionin aktual parlamentar brenda pak javësh. Opozita ka paralajmëruar rezistencë dhe denoncime publike për çdo nismë që, sipas saj, bie ndesh me interesin publik apo traditat shoqërore.