back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuDrejtësia“Koordinim dhe veprim i përbashkët”/ Olsian Çela zbulon strategjinë për goditjen e...

“Koordinim dhe veprim i përbashkët”/ Olsian Çela zbulon strategjinë për goditjen e krimit në rajon

Shqipëria dhe Mali i Zi do të nënshkruajnë sot një memorandum mirëkuptimi që synon forcimin e bashkëpunimit në drejtësi dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit në rajon. Lajmi u bë i ditur nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela gjatë Forumit Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Çela theksoi se kjo marrëveshje do të ketë efekte pozitive dypalëshe, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të ngushtë rajonal në çështjet e drejtësisë.

“Për Shqipërinë dhe jo vetëm, arritjet e deritanishme përbëjnë një progres të dukshëm që do të thotë që sistemet tona të drejtësisë janë në rrugën e duhur të standardizimit dhe harmonizimit në rrugën drejt BE-së”, deklaroi Çela.

Ai nënvizoi se forumi konfirmon vullnetin institucional për të kontribuar në procesin e integrimit europian, duke e lidhur drejtpërdrejt bashkëpunimin rajonal me suksesin e këtij procesi.

Sipas Çelës, ka nevojë urgjente për koordinim më të mirë mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në nivel kombëtar dhe rajonal për të harmonizuar veprimet hetimore dhe për të forcuar efektshmërinë ndaj sfidave të përbashkëta të krimit të organizuar.

“Kjo është një shenjë e qartë e një angazhimi serioz dhe afatgjatë që jo vetëm krijon dinamika të reja bashkëpunimi, por konsolidon veprimin e koordinuar rajonal,” përfundoi Prokurori i Përgjithshëm.

Fjala e plotë e kryeprokurorit Olsian Çela:

Duke ju uruar së pari mirëseardhjen në Shqipëri, dua t’ju them se ndihem i nderuar t’ju drejtohem sot në cilësinë e bashkëorganizatorit të këtij eventi, ndërsa do të reflektojmë mbi përparimin e Projektit të Drejtësisë Penale të Ballkanit Perëndimor, i mbështetur nga Eurojust — një projekt që forcon sundimin e ligjit, përmes ndërtimit të urave të bashkëpunimit mes partnerëve tanë rajonalë.

Ky forum i dytë duhet të shërbejë së pari për të kuptuar progresin e deritanishëm në bashkëpunimin rajonal në kuadër të këtij projekti, ndaj ka nevojë që në vijim të takimit të ketë një vështrim në retrospektivë për atë se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë nuk ka ecur si duhet që nga takimi ynë i parë në Malin e Zi në vitin 2024.

Nga ana tjetër, është thelbësore që të vendosim objektiva realiste dhe të marrim angazhime serioze për vijimin e punës në këtë drejtim.

Organizimi i takimeve bilaterale në kuadër të këtij forumi besoj se do të ndihmojë për të realizuar një ndërveprim më efikas mes prokurorive kombëtare, duke i dhënë takimit një dimension të ri strukturor që do të ndikojë në përshpejtimin e materializmit të angazhimeve reciproke.

Në distancën e një viti nga forumi i mbajtur në Budva, mund të konfirmojmë se kjo iniciativë ka rezultuar të jetë e dobishme dhe e ka shfaqur potencialin e madh që mund të ofrojë për të gjitha vendet tona.

Mund të them me bindje se falë këtij projekti, ne kemi parë përmirësime konkrete në drejtim të bashkëpunimit rajonal, krejt të paimagjinueshme disa vite më parë.

Angazhimi ynë i përbashkët na ka mundësuar të ndërmarrim hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër krimit ndërkufitar në rajonin tonë.

Krijimi i Pikave të Kontaktit për Ballkanin Perëndimor, mbështetja e vazhdueshme e prokurorëve ndërlidhës në Eurojust si dhe takimet e koordinimit me homologët në rajon dhe Bashkimin Evropian kanë krijuar kanale të qëndrueshëm për shkëmbimin e informacionit.

Duke komunikuar kemi informacion më të mirë për sistemet juridike si dhe mënyrën e funksionimit të agjencive ligjzbatuese në vendet respektive.

Kjo na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë problemet dhe të gjejmë zgjidhje për kapërcimin e pengesave.

Në këtë mënyrë janë shmangur keqkuptimet e paqartësitë dhe është rritur besimi reciprok.

Falë këtij bashkëpunimi të strukturuar në mënyrë efikase, ne kemi tashmë institucione më të forta që po mësojnë të punojnë së bashku bazuar në vlera dhe praktika të përbashkëta.

Shqipëria ka përfituar tashmë nga kjo iniciativë përmes disa hetimeve të përbashkëta të suksesshme.

Trafiqet e drogës, armëve, kontrabandimi i njerëzve si dhe aktivitete të tjera kriminale vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi përgjegjësinë për të gjetur zgjidhje në goditjen e këtyre fenomeneve kriminale.

Ndërsa përpjekjet tona për të luftuar krimin tradicional janë në rrugë të mbarë, sfidat që lidhen me krimet në fushën kibernetike dhe përdorimi përherë e më i madh i teknologjisë si dhe i kriptomonedhave në veprimtaritë kriminale kërkojnë përgjigje efikase.

Zhvillimet e fuqishme teknologjike kanë rritur ndjeshëm kapacitetet operacionale të individëve dhe rrjeteve kriminale, ndërkohë që adaptimi i strukturave tona me këto transformime ka ecur më ngadalë, për shkak të kohës që nevojitet për trajnimin e personelit si dhe kostove të larta financiare që shoqërojnë hetimet e këtij lloji.

Është e domosdoshme që të vijojmë me forcimin e kapaciteteve institucionale në planin kombëtar, ndërkohë që nevojitet të sigurojmë një fleksibilitet operacional të një niveli më të lartë në bashkëpunimin rajonal.

Ecja me ritme të ndryshme në këtë aspekt do të ulte efektivitetin e punës sonë si në planin kombëtar ashtu edhe atë rajonal, ndaj mbështetja e projektit edhe në këto aspekte do të vijojë të jetë e rëndësishme për bashkëpunimin tonë më tej.

Ndërsa shohim përpara, e ardhmja e këtij projekti duket premtuese.

Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ecuria e mëtejshme mbetet thelbësisht e lidhur me vullnetin e secilit prej vendeve sot pjesëmarrës në takim për ta vendosur bashkëpunimin efikas rajonal në qendër të prioriteteve të tyre.

Ka nevojë për një koordinim më të mirë së pari të veprimeve mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në rrafshin kombëtar në mënyrë që të harmonizohen aktivitetet hetimore dhe ritmi i tyre në raport me vendet e tjera që do të bashkëpunohet.

Besoj se ka ende mjaft potencial të pashfrytëzuar në drejtim të përdorimit të mekanizmit të ngritur përmes Projektit të Drejtësisë Penale në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kuadër, memorandumi i mirëkuptimit që do të nënshkruajmë sot me Malin e Zi, është shenjë e një angazhimi serioz e afatgjatë, që ndërsa do të krijojë dinamika të reja në bashkëpunim dypalësh, do të japë njëkohësisht efekte pozitive në drejtim të konsolidimit të veprimit të koordinuar në planin rajonal.

Në përfundim, ashtu si e përmenda edhe më lart, uroj dhe besoj që dita e sotme të shërbejë pozitivisht, si në drejtim të kryerjes së një bilanci të punës së deritanishme, po ashtu edhe në drejtim të evidentimit të problemeve dhe asaj që mund të bëhej mirë, duke përcaktuar qartë trajektoren që duam të përshkojmë në vazhdimin e bashkëpunimit rajonal.

Për Shqipërinë dhe jo vetëm, arritjet e deritanishme përbëjnë një progres të dukshëm — kjo do të thotë që sistemet tona të drejtësisë janë në rrugën e duhur të harmonizimit me standardet e BE-së.

Duke marrë shkas si dhe duke e falënderuar ambasadorin Gonzato për praninë e tij sot, dua të konfirmoj vullnetin tonë institucional në drejtim të kontributit ndaj procesit të integrimit evropian të vendit, të vetëdijshëm se puna dhe arritjet tona, edhe në planin e bashkëpunimit rajonal, lidhen ngushtë me këtë proces.

Ndërsa sfidat mbeten, ky projekt ka hedhur themelet për një rajon më të fortë e të sigurtë, më afër integrimit të plotë në familjen evropiane.

Ne ndihemi krenarë të jemi pjesë e këtij udhëtimi.

 

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat