Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme të reja ushtarake në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Përplasjet vijnë menjëherë pasi Teherani deklaroi se nuk do të zhvillojë negociata për programin e tij bërthamor, sa kohë do të jetë nën sulm nga Izraeli.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, një nga objektet kryesore bërthamore të vendit në Isfahan është shënjestruar nga sulmet izraelite. Autoritetet iraniane njoftuan se nuk ka pasur rrjedhje të materialeve të rrezikshme si pasojë e goditjes.
Në një tjetër incident në qytetin e Qomit, një ndërtesë u godit nga raketat izraelite, duke shkaktuar vdekjen e një të riu 16-vjeçar, sipas raportimeve të mediave iraniane.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka konfirmuar se ka nisur një valë sulmesh ndaj infrastrukturës ushtarake iraniane, duke përfshirë magazina armësh dhe vendndodhje të lëshimit të raketave.
Operacionet, sipas autoriteteve izraelite, synojnë të paralizojnë aftësinë goditëse të Iranit dhe të pengojnë përshkallëzimin e mëtejshëm.
Rreth orës 2:30 të mëngjesit, sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në Izraelin qendror, ndërsa sistemi i mbrojtjes ajrore i vendit u vu në gatishmëri maksimale. Pamjet nga mediat ndërkombëtare tregojnë shpërthime në qiellin mbi Tel Aviv, teksa interceptimet ajrore ishin të dukshme në të gjithë zonën.
Përplasja e fundit vjen në një klimë gjithnjë e më të tensionuar, ku Irani refuzon presionin ndërkombëtar për të ndalur aktivitetet bërthamore, ndërsa Izraeli paralajmëron për veprime më të ashpra nëse kërcënimi nuk neutralizohet.