Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur këtë të mërkurë të lërë në fuqi vendimin e GJKKO-së ndaj ish-gjyqtarit Guxim Zenelaj, i dënuar më herët me 6 muaj burg për fshehje të pasurisë, por me disa ndryshime në formën e ekzekutimit të vendimit.
Sipas vendimit të shpallur më 26 qershor 2025, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Igerta Hysi (kryesuese), Tereza Merkaj dhe Iliriana Olldashi, ka vendosur:
Pezullimin e dënimit me burgim
Zëvendësimin e tij me 100 orë punë në interes publik
Afati: 6 muaj për përmbushjen e dënimit alternativ
Guxim Zenelaj duhet të kryejë punën brenda gjashtë muajve, duke filluar nga data e ekzekutimit të vendimit.
Ai detyrohet të ndjekë udhëzimet e Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë, për sa i përket:
Llojit të punës
Vëndit ku do kryhet ajo
Ditëve të javës kur do shërbejë
Vendimi parashikon gjithashtu se Zenelaj do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me Shërbimin e Provës, ndërsa shpenzimet gjyqësore, përfshirë edhe apelimin, i ngarkohen atij.
Dënimi dhe rekursi i mundshëm
Vendimi i parë nga GJKKO, më 17 mars 2025, e dënonte Zenelajn me 6 muaj burg për fshehje të pasurisë, por e konvertonte dënimin në shërbim prove. Apeli ka ruajtur të njëjtën logjikë penale, duke e zbutur më tej masën, me dënim alternativ.
Pala mbrojtëse ka të drejtën e rekursit në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, nga dita pas njoftimit zyrtar të vendimit.