Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka mbajtur një fjalim të fortë e kritik në një panel ku tema ishte llogaridhënia, guximi moral dhe respektimi i sundimit të ligjit. Ai e cilësoi si detyrim profesional e moral të flasë hapur, duke shprehur shqetësimin për atë që e quajti “kriza e heshtur” e drejtësisë shqiptare: konformizmi.
Sadushi theksoi se sistemi gjyqësor, edhe pse ka kaluar nëpër transformime të thella për shkak të reformës në drejtësi, po përballet me problematika serioze që rrezikojnë efektivitetin e tij. Ai përmendi vonesat në dhënien e drejtësisë dhe pasivitetin institucional si probleme reale që e largojnë sistemin nga qytetari.
“Ndoshta nuk konstatohen shkelje flagrante të ligjit, por ka më shumë heshtje, mosveprim në kohë dhe pasivitet. Presioni nuk vjen gjithmonë me kërcënim, por përmes ofertave apo ndjesisë së dorëzimit”, tha ai.
Kreu i Gjykatës së Lartë bëri thirrje për një vetëdije të re kolektive, duke ngritur pyetje të drejtpërdrejta për integritetin e magjistratëve dhe guximin për të vendosur drejt, pa u ndikuar nga interesa politike apo frika institucionale.
Ai kritikoi një fenomen të pranishëm në sistem, që e përshkroi si “rehi konformiste”, ku gjyqtarët hezitojnë të marrin vendime që mund të sjellin tronditje institucionale apo ndëshkime në karrierë.
“Rreziku i kohëve tona nuk është vetëm korrupsioni, por një drejtësi që nuk vepron në kohë. Një drejtësi që pret. Dhe kjo është po aq e rrezikshme”, theksoi Sadushi.
Ai argumentoi se integriteti nuk është vetëm mosangazhim në korrupsion, por është një akt konkret: të veprosh kur të tjerët heshtin, të mbrosh të drejtën edhe kur është e vështirë, të japësh drejtësi edhe kur askush nuk të sheh.
Në fjalën e tij, Sadushi e vuri theksin tek nevoja për të ndërtuar një kulturë të re brenda sistemit, ku guximi, ndershmëria dhe refuzimi i praktikave të gabuara të mos jenë përjashtime, por norma.
“Detyra jonë është të mos heshtim kur drejtësia vonohet, të mos shmangemi kur e drejta kërkon zë, të mos fshihemi pas procedurave. Nëse nuk guxojmë brenda sistemit, nuk mund të presim besim nga jashtë”, deklaroi ai.
Në përfundim, Sadushi bëri apel për një drejtësi të gjallë, që nuk mbështetet vetëm mbi ligje dhe procedura, por mbi karakterin e magjistratit, mbi guximin moral dhe mbi aftësinë për të dhënë drejtësi në mënyrë të kuptueshme dhe të ndjeshme për qytetarin.