Kompania publike shqiptare Albpetrol ka nxjerrë rreth 26 550 ton naftë bruto në 6 muajt e parë të vitit 2025, nga pesë vendburimet që ajo administron në të gjithë territorin e vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, vendburimi më produktiv ka qenë sërish Gorisht-Koculi, me mbi 11 600 ton naftë të prodhuar në këtë periudhë. Pas tij renditen vendburimi i Kuçovës me rreth 6 400 ton, dhe Cakran-Mollaj me afro 5 500 ton.
Aktualisht, Albpetrol operon në pesë vendburime kryesore, përkatësisht në:
Gorisht – Kocul
Kuçovë
Cakran – Mollaj
Patos
Amonicë
Kompania menaxhon gjithsej 1 202 puse aktive, nga 6 799 puse të shpura ndër vite, me një prodhim ditor mesatar prej 206 ton.Pavarësisht ecurisë së qëndrueshme, këto nuk janë ndër vitet më të larta sa i përket prodhimit. Për vitin 2024, Albpetrol mbylli vitin me rreth 70 250 ton naftë të prodhuar, një nivel i ngjashëm me vitet 2022 dhe 2023.
Në kontrast, periudha 2017–2019 shënoi nivele më të larta prodhimi, çka tregon për një frenim të lehtë të ritmeve në vitet e fundit, ndonëse pas vitit pandemik 2020 është vërejtur një stabilizim progresiv.
Ndërkohë që çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë relativisht të luhatshme, prodhimi i brendshëm mbetet strategjik për sigurinë energjetike të vendit. Megjithatë, sfida të tilla si amortizimi i puseve të vjetër, mungesa e investimeve të mëdha teknologjike dhe lëvizjet në tregun global e bëjnë të domosdoshme një strategji të re zhvillimi për të rritur eficiencën dhe volumin e prodhimit.