Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me aksionin ndaj zaptimit të hapësirave publike në vend, duke paralajmëruar një reformë të re ligjore për kontrollin dhe zhvillimin e territorit.
Në një postim në platformën “X” (ish-Twitter), Rama akuzon qeverisjen vendore dhe policitë bashkiake për bashkëpunim në lejet me shkelje dhe tolerimin e tokave të zëna, duke theksuar se kjo situatë do të marrë fund me ndryshimet që po përgatiten.
“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit […] do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit,” shkruan Rama.
Krahas kësaj reforme, ai njofton edhe një sërë reformash të tjera strukturore, që do të prekin shërbimin me ujë të pijshëm, sistemin e pastrimit dhe përpunimit të mbetjeve,furnizimin me naftë dhe barna si edhe shërbimin spitalor.
Rama thotë se këto do të jenë piketa kyçe për hyrjen në fazën e katërt të qeverisjes së tij, e cila synon përgatitjen e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.



