Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë dënoi me ashpërsi përdorimin e gjuhës fyese dhe denigruese nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, ndaj avokatit Gentjan Rumano gjatë seancës gjyqësore të procedimit penal “Plumbi i Artë”.
Në një deklaratë për shtyp, Dhoma e Avokatëve shprehu shqetësim të thellë për këtë sjellje që përbën shkelje të etikës profesionale, si dhe cënim të dinjitetit dhe pavarësisë së avokatit. Sipas Dhomës, një sjellje e tillë nuk mund të tolerohet, pasi minon barazinë e palëve në proces dhe cenon besueshmërinë e sistemit të drejtësisë.
Dhoma kërkoi që Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë të marrin masa ndaj prokurorit, duke theksuar se avokatët do të mbrojnë me vendosmëri integritetin dhe dinjitetin e tyre profesional.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur standardet për drejtësinë e re kërkojnë respekt dhe bashkëpunim ndërmjet palëve në proces, për të garantuar një gjykim të drejtë dhe të pavarur.



