Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, duke shtuar në fokus edhe dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Në qendër të verifikimeve janë disa lëvizje financiare që dyshohet se janë kryer përmes kompanive private dhe që çojnë drejt dy shoqërive në Gjermani, të lidhura me vëllezërit e ish-kreut të SHISH-it.
Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, prokurorët e posaçëm kanë gjetur dokumente dhe shënime gjatë kontrolleve në ambientet e kompanive të lidhura me biznesmenin Ergys Agasi. Dyshimet janë se një pjesë e parave të përfituara nga tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) mund të jenë përdorur për të kaluar përfitime financiare te persona të afërt me Hysenin.
Një nga transaksionet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është një transfertë prej 450 mijë eurosh, e iniciuar më 26 shkurt 2024 nga kompania “Fortis Beton” drejt shoqërisë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”. Pagesa kishte si përshkrim “Pagesë për kontratë huaje”, por u anulua një ditë më pas, më 27 shkurt.
Sipas verifikimeve të raportuara, përfaqësues i kompanisë gjermane është Izet Dingler, i identifikuar si vëllai i Vlora Hysenit. Hetuesit po verifikojnë nëse kjo transfertë kishte një qëllim real tregtar apo ishte pjesë e një mekanizmi për kalimin e parave me origjinë të dyshuar të paligjshme.
Por kjo nuk është e vetmja lëvizje financiare që ka përfunduar në lupën e SPAK.
500 mijë euro në dy transferta drejt një tjetër kompanie gjermane
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe dy transferta të tjera, nga 250 mijë euro secila, të kryera në mars të vitit 2024 drejt kompanisë gjermane “Wilhelm & Co Planungsgesellschaft”. Në këtë shoqëri rezulton se punon një tjetër vëlla i ish-drejtoreshës së SHISH-it.
Sipas dokumenteve të bëra publike, pagesat janë justifikuar me projektimin arkitekturor të një qendre tregtare prej rreth 17 mijë metrash katrorë në Tiranë, projekt që dyshohet se nuk është realizuar.
Në këtë mënyrë, në fokus të hetimit janë gjithsej rreth 950 mijë euro: 500 mijë euro të transferuara në dy këste drejt kompanisë ku punon njëri prej vëllezërve dhe një transfertë tjetër prej 450 mijë eurosh, e cila u anulua përpara se të përfundonte.
Për marrëdhëniet financiare mes “Fortis Beton” dhe kompanive gjermane janë marrë në pyetje edhe persona të lidhur me shoqëritë e përfshira. Në deklarimet e tyre, sipas raportimeve, ata kanë pretenduar se nuk kishin dijeni për punimet dhe nuk i njihnin përfaqësuesit e kompanive gjermane.
SPAK ndjek gjurmët e parave të AKSHI-t
Pista financiare lidhet me hetimet më të gjera për tenderat e AKSHI-t dhe biznesmenin Ergys Agasi. Sipas dyshimeve të prokurorisë, fondet e përfituara përmes procedurave publike mund të jenë kaluar në disa hallka kompanish, përpara se të mbërrinin te subjekte të tjera dhe persona të lidhur me ish-drejtoreshën e SHISH-it.
Në këtë skemë përmendet edhe kompania “Enklo Construction”, drejt së cilës dyshohet se është transferuar një shumë prej 119.162.400 lekësh, rreth 1.2 milionë euro, nga kompania “Sinteza Co”, e lidhur me një tender të AKSHI-t të fituar në bashkëpunim me “Albascan”.
Më pas, sipas materialeve të hetimit të raportuara në media, një pjesë e këtyre parave kanë kaluar drejt kompanisë “Fortis Beton”, e cila ka kryer edhe transfertat drejt Gjermanisë.
SPAK dyshon se këto lëvizje financiare mund të jenë përdorur për të fshehur origjinën e parave dhe për të kanalizuar përfitime të parregullta. Prokuroria po verifikon gjithashtu nëse pagesat kanë qenë shpërblim për informacione konfidenciale të SHISH-it që dyshohet se i janë vënë në dispozicion Ergys Agasit.
Letërporosi në Gjermani dhe Kosovë
Për të zbardhur plotësisht lëvizjet e parave, SPAK ka dërguar letërporosi në Gjermani dhe Kosovë, duke kërkuar informacion mbi llogaritë bankare, transfertat, pasuritë dhe aktivitetet tregtare të personave të lidhur me këtë çështje.
Hetuesit po kërkojnë të verifikojnë marrëdhëniet mes kompanive, origjinën e fondeve dhe destinacionin përfundimtar të tyre, si dhe nëse ekzistojnë lidhje financiare mes subjekteve të përfshira dhe familjarëve të ish-drejtoreshës së SHISH-it.
Vlora Hyseni ishte më herët nën hetim në kuadër të dosjes së AKSHI-t për dyshime lidhur me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete. Tashmë, hetimi është zgjeruar edhe në pistën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.



