KreuAktualitetPolitikaZgjedhjet e 2027/ Mungojnë 265 milionë lekë, rrezikohen përgatitjet dhe siguria e...

Zgjedhjet e 2027/ Mungojnë 265 milionë lekë, rrezikohen përgatitjet dhe siguria e procesit

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon ndërhyrjen e Kuvendit për të siguruar 265.4 milionë lekë shtesë në projektbuxhetin e vitit 2027, kur Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet vendore. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, paralajmëron se mungesa e këtyre fondeve mund të krijojë probleme në përgatitjen logjistike, mirëmbajtjen e sistemeve informatike dhe sigurinë e procesit zgjedhor.

Në një shkresë drejtuar kryetarit të Komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, Celibashi kërkon që nevojat financiare të institucionit të merren në konsideratë gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit.

Sipas dokumentit, KQZ kishte kërkuar 364.7 milionë lekë shtesë mbi tavanin e Programit Buxhetor Afatmesëm, por në projektbuxhet janë parashikuar vetëm 99.3 milionë lekë. Për rrjedhojë, mbeten pa mbulim 265.467.232 lekë.

Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 180 milionë lekë, nevojitet për ndërtimin e magazinës së materialeve zgjedhore dhe supervizimin e projektit. Një tjetër fond prej 51.7 milionë lekësh kërkohet për mirëmbajtjen e sistemeve informatike, ndërsa 33.7 milionë lekë janë parashikuar për qiranë e magazinave në Vaqarr.

KQZ paralajmëron se mosfinancimi i këtyre zërave mund të ndikojë drejtpërdrejt në organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

“Shuma e përgjithshme e nevojave të pambuluara në projektbuxhetin e zakonshëm është 265.467.232 lekë. Mosmbulimi i tyre mund të kufizojë kapacitetet magazinuese dhe gatishmërinë logjistike për procesin zgjedhor të vitit 2027”, thuhet në shkresë.

Shqetësim i veçantë ngrihet për sistemet informatike, ku mungesa e fondeve mund të shtyjë mirëmbajtjen dhe testimin e tyre, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve teknike dhe cenimit të sigurisë së shërbimeve gjatë zgjedhjeve.

Një tjetër problem i evidentuar është edhe Platforma Elektronike e Raportimit Financiar (PERF), e cila ende nuk është funksionale për raportimin e financave të partive politike.

Për përmirësimin e saj, KQZ ka kërkuar rreth 20 milionë lekë mbështetje nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, por deri më tani nuk ka marrë konfirmim për financimin. Celibashi kërkon që, nëse këto para nuk sigurohen nga donatori, ato të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Sipas KQZ-së, fondet nevojiten për përshtatjen e platformës me regjimin juridik dhe funksional, standardizimin e kategorive të raportimit, verifikimin e të dhënave, testimin dhe publikimin e raporteve financiare në formate të hapura.

Përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2027

Në dokumentin drejtuar Kuvendit, KQZ paraqet edhe prioritetet për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në fokus janë trajnimi i administratës zgjedhore, garantimi i gatishmërisë dhe sigurisë së sistemeve e pajisjeve, informimi i votuesve dhe përmirësimi i aksesueshmërisë së qendrave të votimit.

“Për vitin 2027, përparësia kryesore e KQZ-së është përgatitja dhe administrimi i zgjedhjeve vendore. Në këtë kuadër, KQZ do të përqendrohet në trajnimin e administratës zgjedhore, garantimin e gatishmërisë dhe sigurisë së sistemeve e pajisjeve zgjedhore, informimin e zgjedhësve dhe përmirësimin e aksesueshmërisë së qendrave të votimit”, theksohet në dokument.

Megjithatë, institucioni pranon se programi për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është ende në fazën e hartimit. Fushatat informuese dhe matja e nivelit të njohurive të votuesve nuk kanë nisur ende.

Vëmendje i kushtohet edhe personave me aftësi të kufizuara. KQZ parashikon verifikimin e kushteve në qendrat e votimit, përgatitjen e materialeve në të paktën tri formate të aksesueshme dhe trajnimin për votimin e asistuar. Për këto masa, institucioni thekson se përgjegjësia për financimin u takon njësive të qeverisjes vendore.

“Pa mbështetjen e nevojshme financiare, pengesat e identifikuara mund të mos adresohen në kohë”, paralajmëron KQZ.

Paralelisht, institucioni do të vijojë ndjekjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si dhe përgatitjen e analizave dhe propozimeve teknike për reformën zgjedhore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat