KreuAktualitetPolitikaDebat për Reformën Zgjedhore/ Çfarë kërkon PS dhe çfarë PD

Debat për Reformën Zgjedhore/ Çfarë kërkon PS dhe çfarë PD

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Bojkoti i demokratëve në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale ka zgjatur vetëm pak minuta. Opozita, e cila në nisje të mbledhjes la bosh karriget e saj, është rikthyer në tryezë për të vijuar diskutimet me socialistët.

Pas rikthimit, bashkëkryetari i komisionit nga radhët e PD-së, Oerd Bylykbashi, bëri të ditura kërkesat e opozitës, duke theksuar se ndryshimet duhet të adresojnë ndarjen e shtetit nga partia dhe të garantojnë zgjedhje të lira, ku vota e qytetarëve të mos ndikohet nga presioni politik apo administrativ.

Bylykbashi kritikoi kohën e shpenzuar deri më tani për çështje që, sipas tij, nuk përbëjnë prioritet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Ai u ndal edhe te ligji për financimin e partive politike, duke deklaruar se zbatimi i tij nga 10 maji e në vijim nuk duhet të marrë vëmendjen nga problematikat kryesore të procesit zgjedhor.

“Përpara zgjedhjeve të vitit 2027, ajo që jemi përballur deri më tani është një konsum total i panevojshëm për çështje që nuk janë prioritet. Ligji për financimin e partive politike do të zbatohet me 10 maj e tutje, sepse nuk është prioritet i asaj që kërkon BE. Duhet të jenë dy ligje në harmoni të plotë. Propozimi i opozitës ka qenë fare i qartë, shtrojmë për zgjidhje të gjithë problematikën e ndarjes së shtetit nga partia, ai që dëmton fushën e barabartë të lojës, plus zgjedhësit të jenë të lirë nga presioni i shtetit”, deklaroi Bylykbashi.

Demokrati theksoi se PD ka përgatitur një paketë ndryshimesh, të cilën do ta paraqesë kur diskutimi të hyjë në fazën e shqyrtimit. Një prej kërkesave kryesore të opozitës është kalimi drejt listave 100% të hapura, jo vetëm për zgjedhjet parlamentare, por edhe për këshillat bashkiakë.

“Sigurisht nuk mund t’i varësh mëlçitë në qafë ujkut e të shpresosh që ai t’i ruajë. PD ka gati paketën dhe në momentin që hyn në shqyrtim normal ne do të dorëzojmë paketën e ndryshimeve që ndan shtetin nga zgjedhësit. Mbrojmë interesin e zgjedhësve. Ne kërkojmë atë që kërkojnë njerëzit në shesh, listë të hapur 100% edhe për këshillat bashkiakë”, u shpreh ai.

Në nisje të mbledhjes, bashkëkryetari nga PS, Arbjan Mazniku, prezantoi hapat e fazës së dytë të reformës, duke bërë të ditur se puna do të përqendrohet në katër shtylla: qeverisjen vendore, funksionet, financat dhe realizimin e reformës.

Mazniku rikujtoi se faza e parë përfundoi me ndryshimin e hartës territoriale, ku numri i bashkive u reduktua nga 61 në 46, ndërsa njësitë administrative do të ruhen. Bashkitë e reja pritet të konstituohen pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Ai kërkoi gjithashtu pjesëmarrjen e opozitës në proces, duke argumentuar se një reformë që prek arkitekturën e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse hartohet vetëm nga njëra palë.

“Një reformë që prek në mënyrë të qenësishme arkitekturën e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ndërtohet nga një palë e vetme. Ftesa është e hapur sot për të gjithë kohëzgjatjen e komisionit, për opozitën që i kërkojmë të zërë vendet sot dhe në çdo mbledhje”, deklaroi Mazniku.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat