Pas seancës së sotme në GJKKO, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, deklaroi se çështja për masën e sigurisë ndaj ish-presidentit është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të shprehet brenda muajit tetor. Ai paralajmëroi se dokumentacioni për ankimin në Strasburg është në përgatitje.
Sipas Cakranit, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kërkesën për zëvendësimin e masës “arrest në burg” brenda afatit ligjor prej tre muajsh.
“E kemi regjistruar në Kushtetuese, padyshim që gjykata do marrë kohë, brenda 3 muajve do të shprehet, që do të thotë brenda tetorit do të kemi një vendimmarrje”, tha ai.
Avokati shtoi se beteja ligjore po vijon edhe për masën tjetër të sigurisë të rrëzuar më 26 qershor, për të cilën po përgatitet ankim në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Cakrani e cilësoi “rastin Gëllci” si shembullin më flagrant të shkeljes së ligjit dhe Kodit të Procedurës Penale, duke e quajtur një “shuplakë për këtë gjykatë”.
“Ilir Meta do të lirohet sepse nuk ka asnjë arsye ligjore të mbahet në paraburgim. Është një betejë e gjatë, nuk mbaron javën tjetër, as për 1 muaj, as për 2 muaj”, u shpreh Cakrani.