Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë së Vlorës, Elidon Çela, pas raportimit të pasaktë lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së qytetarëve kundër projektit në zonën e Zvërnecit.
Fillimisht, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë njoftoi se një prej protestuesve ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit. Megjithatë, pas verifikimeve të kryera, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se ky informacion nuk rezultonte i vërtetë dhe kërkoi ndjesë publike për raportimin e gabuar.
“Qytetari në fjalë nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar”, thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Për pasojë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, vendosi pezullimin e menjëhershëm nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela, duke argumentuar se besimi i publikut ndaj Policisë së Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërkohë, Policia bëri me dije se janë proceduar penalisht dy punonjës të një kompanie private sigurie, shtetasit G. V., 41 vjeç dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj një protestuesi.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit thekson gjithashtu se territori i rrethuar në zonën ku po zhvillohet projekti rezulton pronë private, me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizim ligjor për rrethimin.
“Çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj duhet të adresohet në Gjykatë. Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor”, thuhet në deklaratë.
Protesta e së shtunës në Zvërnec mblodhi qytetarë dhe aktivistë që kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, duke shprehur shqetësime për pasojat e mundshme mjedisore të projektit.



