Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Adriana Kalaja, ka bërë një reagim të fortë dhe polemizues në rrjetet sociale, duke e lidhur gjendjen e lirisë së medias në vend me ish-ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Në një postim në Facebook, Kalaja shkruan:
“Për lirinë e medias duhet të protestonit atëherë kur mafiozja Yuri Kim, ndryshe Griselda Bianco, vendoste kush do ishte në studio e kush jo. Kaq. Gjithsesi, asnjëherë nuk është vonë.”
Deklarata e saj përmban akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-diplomates amerikane, duke pretenduar ndërhyrje në përzgjedhjen e të ftuarve në emisionet televizive. Megjithatë, nuk ka asnjë provë të publikuar që mbështet këto pretendime.
Ky reagim vjen në një periudhë ku pritet një shtator politikisht i nxehtë, me zhvillime dhe ndryshime të mundshme brenda PD-së. Analistët e shohin deklaratën si pjesë të një komunikimi politik që synon të tërheqë vëmendjen dhe të pozicionojë Kalanë në krah të grupimeve më kritike ndaj rolit të SHBA-ve në politikën shqiptare.