back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetDelvina zgjohet nga ferri i zjarreve/ Shtëpi dhe ullishte të bëra hi

Delvina zgjohet nga ferri i zjarreve/ Shtëpi dhe ullishte të bëra hi

Një tjetër natë ferri ka goditur qytetin e vogël të Delvinës, ku zjarret e fuqishme të ndihmuara nga era e fortë u përhapën me shpejtësi, duke rrezikuar jetën dhe pronat e qindra banorëve. Për herë të dytë brenda pak javësh, flakët kanë detyruar autoritetet të shpallin alarmin maksimal dhe të organizojnë evakuime urgjente.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se rreziku i drejtpërdrejtë për banorët dhe shtëpitë ka kaluar, por theksoi se situata u përshkallëzua brenda një ore në nivelin më të lartë të rrezikut. “Era e fortë e bëri të pamundur frenimin e menjëhershëm të flakëve. Për sigurinë e njerëzve, u evakuuan dhjetëra banorë dhe spitali i qytetit”, tha Vengu.

Falë ndërhyrjes intensive të forcave zjarrfikëse dhe njësive të Ushtrisë, flakët u ndalën në periferi të qytetit. Megjithatë, zjarri mbetet aktiv në disa zona, duke djegur ende sipërfaqe pyjore e tokë bujqësore.

Në agimin e kësaj të mërkure, gazetari Ermir Hoxha publikoi pamje tronditëse nga vendngjarja: shtëpi të shkrumbuara, ullishte dhe drufrutorë të kthyer në hi, dhe zjarrfikës të shtrirë rrugëve nga lodhja. Ai tregoi se kishte udhëtuar gjithë natën nga Kosova për të mbërritur pranë familjes së tij në Delvinë. “Hataja ka përpirë dhjetëra shtëpi dhe pasurinë natyrore të banorëve. Ndër më të humburit është edhe im kunat,” tha ai, duke kujtuar fjalët e Drita Çomos: ‘Nuk ka asgjë të tmerrshme gjersa ka diçka dhe më të tmerrshme se tmerri që mendon se të ka ndodhur’.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal, ndërsa hetimet për shkaqet e zjarrit vijojnë. Banorët e Delvinës, të goditur rëndë nga kjo fatkeqësi, kanë nisur të rimarrin frymë, por dëmet materiale dhe plagët emocionale mbeten të thella.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat