Situata e vatrave të zjarrit në zonën kufitare pranë Parkut Natyror të Gërmenjës vijon të mbetet problematike, me disa riaktivizime të regjistruara gjatë ditës së sotme.
Për shkak të drejtimit të erës, flakët kanë pasur tendencë të përhapen drejt Rezervatit Gërmenj-Shelegur dhe në afërsi të piramidës 14, përgjatë vijës kufitare me Greqinë. Megjithatë, deri më tani zjarri nuk ka prekur kurorën e masivit pyjor, e cila është një zonë e mbrojtur.
Autoritetet bëjnë me dije se si pasojë e flakëve janë dëgjuar shpërthime të municioneve të mbetura në zonën kufitare, çka ka shtuar rrezikun për forcat në terren.
Aktualisht, rreth 35 forca të emergjencave civile ndodhen në operacion, duke punuar për krijimin e kordonëve kufizues për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Zjarri në këtë zonë kufitare ka vijuar prej disa ditësh, duke vënë në vështirësi ekipet e ndërhyrjes që monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.