Që prej së mërkurës, drafti i ri i Kodit Penal është zyrtarisht i hapur për komente, nëpërmjet platformës elektronike të qeverisë për njoftim dhe konsultim publik. Procesi do të zgjasë deri më 24 shtator.
Në regjistër është publikuar i njëjti dokument që Ministria e Drejtësisë prezantoi në korrik, pavarësisht kritikave të shumta nga institucionet e drejtësisë, Dhoma e Avokatisë, shoqatat e gazetarëve, aktivistë e intelektualë. Drafti është cilësuar si represiv dhe cenues i lirive e të drejtave të njeriut, ndërsa vërejtjet e tyre nuk janë reflektuar në projektligjin e hedhur për konsultim.
Për rreth një muaj, palët e pakënaqura do të kenë mundësi të paraqesin sugjerime e analiza, përpara se drafti të kalojë në diskutime parlamentare dhe më pas në votim në Kuvend.
Grupi i punës i ngritur nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2023, i përbërë nga gjyqtarë, prokurorë, pedagogë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, argumenton se Kodi aktual i vitit 1995 ka dështuar në qëllimin e tij, pasi ka pësuar mbi 250 ndryshime e shtesa, shpesh të marra nga legjislacione të huaja, pa u përshtatur me realitetin shqiptar.
Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se versioni i ri rrezikon të rikthejë elemente të së kaluarës dhe e krahasojnë me praktikat e komunizmit, duke e konsideruar një punë të bërë me nxitim.
Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë të mëparshme, theksoi se qeveria është vetëm një nga palët në proces dhe se drafti nuk mund të shkojë në Parlament pa konsultim me Komisionin Europian:
“Pasi të bëhen ballafaqimet me palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar dhe do ta konsultojë natyrisht me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në Parlament.”