back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Një gënjeshtër e madhe”/ Ambasadori shqiptar i kthehet Farage për akuzat ndaj...

“Një gënjeshtër e madhe”/ Ambasadori shqiptar i kthehet Farage për akuzat ndaj komunitetit shqiptar

Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së politikanit britanik Nigel Farage, i cili pretendoi se “1 në 50 shqiptarë që jetojnë në Britani ndodhet në burg”.

Ferizi e cilësoi këtë pohim si “një gënjeshtër të madhe”, duke theksuar se është bazuar mbi interpretime të shtrembëruara të statistikave. Ambasadori mori pjesë në konferencën e partisë së Farage, “Reform UK”, ku e ballafaqoi atë drejtpërdrejt me faktet.

“Është thellësisht e padrejtë të përhapeshin këto gënjeshtra. Thjesht nuk janë të vërteta. I shpjegova se shqiptarët janë shembull i mirë i integrimit në Britani: punojnë, mësojnë gjuhën dhe respektojnë rregullat e vendit,” – tha ambasadori për “The Guardian”.

Deklarata e Farage është bazuar mbi shifrën e diskutueshme prej 53 mijë shqiptarësh në Britani. Duke e marrë këtë si bazë, ai arriti në përfundimin se rreth 2% e tyre – pra “1 në 50” – ndodhet në burg.

Por të dhënat zyrtare tregojnë diçka tjetër. Sipas Ministrisë së Drejtësisë britanike, në fund të tremujorit të parë të vitit 2024 në burgjet e Anglisë dhe Uellsit ishin 1,273 shqiptarë, që përbëjnë rreth 12.2% të të huajve të burgosur. Megjithatë, kjo shifër është shumë larg nga pretendimi i Farage, pasi komuniteti shqiptar në Britani është më i madh se numri i përdorur prej tij.

Sipas ambasadorit Ferizi, përqindja reale është rreth 1 në 500, jo 1 në 50.

Në të njëjtën ditë, Farage deklaroi se do të takohej me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar çështjen e dërgimit të të burgosurve shqiptarë në vendin e tyre. Ai madje provokoi duke thënë se kur të vizitojë Shqipërinë “mund të marrë me vete një avion të mbushur me të burgosur shqiptarë”.

Deklaratat e Farage kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe janë përgënjeshtruar nga ambasada shqiptare në Londër. Ferizi theksoi se shqiptarët në Britani janë një komunitet që kontribuon ndjeshëm dhe se nuk është e drejtë të paragjykohet një popull i tërë mbi bazën e shifrave të manipuluara.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat