back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetSocialeVeshja, rrjetet sociale dhe sjellja publike/ Regulla të reja për mësuesit

Veshja, rrjetet sociale dhe sjellja publike/ Regulla të reja për mësuesit

Të gjithë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar do të duhet të respektojnë një Kod të ri Etikë, i cili përcakton standarde të qarta për integritetin, përgjegjshmërinë dhe sjelljen profesionale, si brenda mjediseve shkollore, ashtu edhe jashtë tyre.

Kodi, i hartuar nga Ministria e Arsimit, përfshin udhëzime për përdorimin e rrjeteve sociale, sjelljen publike, veshjen dhe raportimin me nxënësit.

Sjellja dhe prezantimi publik

Sipas dokumentit, mësuesit duhet të tregohen të kujdesshëm në paraqitjet publike, duke u siguruar që postimet, fotot dhe videot të jenë në përputhje me etikën profesionale dhe të mos dëmtojnë imazhin e edukatorit.

“Mësuesi duhet të ruajë gjithmonë figurën e tij si model edukues, si brenda ashtu edhe jashtë shkollës, të nxisë sjellje të përgjegjshme dhe të edukojë nxënësit për përdorimin e sigurt të platformave online,” thuhet në Kod.

Veshja profesionale

Një vëmendje e veçantë është kushtuar edhe pamjes dhe veshjes së mësuesve. Ata duhet të paraqiten të pastër, të rregullt dhe profesionalë, duke shmangur aksesoret që bien në sy, prodhojnë zhurmë ose shpërqendrojnë nxënësit.

“Stolitë dhe elementet shtesë në veshje duhet të jenë të thjeshta dhe të përshtatshme për mjedisin shkollor,” përcaktohet në dokument.

Respekti për nxënësit dhe mbështetja për kolegët

Kodi i ri thekson gjithashtu respektin ndaj privatësisë dhe dinjitetit të nxënësve, si dhe rolin e mësuesve me përvojë për të mbështetur dhe udhëzuar kolegët e rinj në procesin arsimor. Mësuesit duhet të shërbejnë si model i sjelljes dhe i zgjidhjes paqësore të konflikteve.

Ministria e Arsimit thekson se Kodin e Etikës ka për qëllim të ofrojë një kornizë të qartë profesionale, që ndihmon mësuesit të përballen me sfidat e një mjedisi arsimor gjithnjë e më të ndërlikuar, duke ruajtur besimin e nxënësve dhe të prindërve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat