back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Maj, 2026
spot_img
KreuOpinion dhe Analizë2 milion Euro për SPAK-un

2 milion Euro për SPAK-un

Nga Erion Dasho
“Kishin ardhur edhe ekspertët izraelitë për të dhënë konsulencë në Onkologjik. Për dy milionë euro ata rekomanduan rritjen e shtretërve dhe një buxhet më të madh për barna, një diagnozë që çdo pacient e dinte edhe pa raport.”
Ky paragraf i shkruar prej Z. Baton Haxhiu në një shkrim të ditëve të fundit, duhet të shërbejë si kambanë alarmi për SPAK-un dhe si indicije për hapjen e një hetimi kryesisht për qeverinë e Boratëve.
Referenca është e qartë për këdo që ndjek zhvillimet në fushën e shëndetësisë.
Në muajin janar të këtij viti, kur sapo ishin ndezur motorët elektoralë, Borati deklaronte se spitali onkologjik në QSUT do të merrej në menaxhim nga spitali i Shebës në Izrael dhe se ky do të ishte një revolucion total në drejtim të shërbimit, menaxhimit dhe modernizimit të QSUT-së.
Pak javë më vonë, në kulmin e fushatës elektorale, Borati vizitonte Izraelin ku ndalej në Spitalin e Shebës për t’u njohur me programin e njohur të inteligjencës artificiale, i cili e ka bërë Shebën pikë reference globale. Gjatë vizitës, Rama merrte edhe një medalje nderi të akorduar nga Presidenti Herzog.
***
Personalisht e kam quajtur deklaratën se Spitali i Shebës do të merrte në menaxhim Spitalin Onkologjik një përçartje të Boratit dhe boratëve të shëndetësisë; një përpjekje për të mbuluar skandalet e pafundme madje edhe krimet e dyshuara të kryera në këtë spital përgjatë viteve të sundimit rilindës.
Përpjekje për t’u hedhur hi syve pacientëve të lënë në mëshirë të fatit, pa medikamente, pa radioterapi, të trajtuar me metoda anadollake të cilat u dëmtojnë më tej shëndetin dhe shkurtojnë jetën.
Përpjekje për të mbuluar skandalin e përgjysmimit të dozave të kimioterapisë, lënies në korridor të pajisjes së brakiterapisë, si dhe dhjetëra skandaleve pothuajse të përditshme të zbuluara në këtë spital nga gazetari kurajoz Osman Stafa.
Përpjekje për të mbuluar paaftësinë ulëritëse të ministrave dhe drejtuesve boratas në vite, “talenti” i të cilëve shtrihej në hajdutëri, koncesione, tendera të fshehtë, etj., etj., por aspak në politikë-bërje, menaxhim dhe vizion reformues.
***
Kur pyetej nga gazetarët se si ishte financuar ardhja e mjekëve të Spitalit të Shebës në Tiranë, Borati përgjigjej:
“Miqtë nga Izraeli nuk kanë asnjë interes. Nuk janë për të fituar asgjë. As para dhe as reputacion dhe as ndonjë favor tjetër.”
Ndërkohë, Z. Baton Haxhiu deklaron se për këtë projekt janë paguar 2 milionë euro.
Cili prej të dyve gënjen?!
Për të sqaruar këtë kundërthënie, organet e drejtësisë së re mund dhe duhet të hetojnë bazuar në dy pyetje:
1. Është e vërtetë se janë paguar 2 milionë euro për vlerësimin e gjendjes në Spitalin Onkologjik nga ana e Spitalit të Shebës dhe për vizitën studimore të Boratit në Izrael?
2. Nëse po, nga kanë dalë këto fonde?
Si pyetjet, ashtu edhe hetimi për to është fare i thjeshtë. Mjafton të pyeten Z. Haxhiu, Borati, ish-Ministrja e Shëndetësisë, drejtuesit e Spitalit Onkologjik, t’i drejtohet një email Spitalit të Shebës dhe të hapen qitapët e Ministrisë dhe QSUT-së.
Qytetarët shqiptarë dhe sidomos personat e prekur nga sëmundjet tumorale kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën.
2 milionë euro mund të jenë një pikë uji në oqeanin e hajdutërisë, abuzimeve dhe shpërdorimeve në shëndetësinë e boratëve, por ato ngelen 2 milionë euro.
Të dala prej xhepave të qytetarëve dhe të sëmurëve onkologjikë shqiptarë…
spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat