Seanca parlamentare e javës së kaluar, ku pritej prezantimi i programit qeverisës “Rama 4”, përfundoi në më pak se gjysmë ore për shkak të kaosit të shkaktuar nga opozita.
Deputetët e Partisë Demokratike, në vend që të zhvillonin një debat me argumente, bllokuan foltoren, përplasën duart mbi tavolina dhe hodhën shishe uji dhe libra të rregullores drejt kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të kabinetit të ri.
Deputeti demokrat Luan Baçi komentoi situatën duke theksuar se mazhoranca nuk do të duhej të provokonte veprime të tilla, por gjithsesi, sipas tij, ato janë reagime të detyruara nga fuqia e mazhorancës.
“Ne e dimë që Rama nuk e pranon përballjen sepse nuk ka argumente dhe gjithmonë do të gjejë mënyra për të provokuar opozitën. Çfarë mund të bësh kur të vendosin në shpatulla pas muri dhe duhet të reagosh? Nëse nuk reagojmë, jemi fajtorë se e braktisim Parlamentin. Nuk ishte vendim i grupit parlamentar, janë veprime emocionale të disa deputetëve,” tha Baçi në studion e “Puls” në A2 CNN.
Ai shtoi se veprimet e opozitës nuk ishin të programuar nga grupi parlamentar, por reagime spontane ndaj arrogancës së mazhorancës dhe shkeljeve të pretenduara të Kushtetutës.



