Shqipëria po përjeton një bum të ri në hapjen e bar-kafeve, duke konfirmuar këtë sektor si një nga më të preferuarit për sipërmarrësit shqiptarë. Të dhënat e fundit nga Administrata Tatimore tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024 u regjistruan 2,033 subjekte të reja, një rritje prej 10.4% krahasuar me 2023, kur numri i bizneseve të reja ishte 1,840.
Tendenca vijon edhe gjatë vitit 2025. Në katërmujorin e parë janë regjistruar 744 bar-kafe të tjera, duke e çuar totalin e tyre aktiv në 15,348 në nivel kombëtar. Ndërkohë, çregjistrimet mbeten minimale, me vetëm 65 subjekte të mbyllura në 2024 dhe 61 gjatë katër muajve të parë të këtij viti.
Ekspertët dhe zyrtarët e tatimeve shpjegojnë se një nga arsyet kryesore të rritjes është politika fiskale favorizuese. Ligji nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon tatim 0% për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit, përfshirë aktivitetet “bar-kafe”, si persona fizikë ashtu edhe juridikë. Ky përjashtim ka krijuar kushte të favorshme për hapjen e dhjetëra bizneseve të reja.
Përveç politikës fiskale, rikthimi i Shqipërisë si destinacion turistik ka gjallëruar sektorin, i cili më parë vuante nga tkurrja e frekuentimit dhe emigracioni, sidomos nga të rinjtë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rritja e shpejtë e numrit të bar-kafeve mund të çojë në tejngopje të tregut. Shtimi i bizneseve shoqërohet gjithashtu me sfida për gjetjen e fuqisë punëtore, duke krijuar presion për sektorin në të ardhmen.