KreuAktualitetPolitikaÇmimet e apartamenteve jashtë mundësive të të rinjve/ Rama premton 55 mijë...

Çmimet e apartamenteve jashtë mundësive të të rinjve/ Rama premton 55 mijë banesa deri në 2030

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Asamblenë e Partisë Socialiste planet e qeverisë për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm, duke deklaruar se synimi është që deri në vitin 2030 të shpërndahen 55 mijë çelësa banesash për familjet që kanë nevojë për mbështetje.

Sipas Ramës, strehimi nuk është më një problem që prek vetëm shtresat në nevojë ekstreme, por edhe një kategori të re të mesme, ku përfshihen të rinjtë dhe profesionistët që, pavarësisht se janë në marrëdhënie pune, nuk arrijnë të përballojnë çmimet e larta të apartamenteve.

Kryeministri përmendi si kategori që kanë vështirësi për të siguruar një banesë policët, infermierët, ushtarakët dhe punonjësit e tjerë të administratës publike.

“Strehimi sot nuk është më nevojë për më të varfrit, por edhe për një shtresë të re të mesme që nuk e përballon dot çmimin e rritur të apartamenteve. Me ligjin e ri do të adresojmë diçka që është problem edhe i vendeve më të zhvilluara. Do të krijojmë shtresën e re të strehimit të përballueshëm. Do të ketë mbështetje edhe për qiratë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se me buxhetin e ri dhe zbatimin e ligjit të sapomiratuar për strehimin, 10 mijë familje të reja do të kenë mundësinë të përfitojnë banesa duke nisur nga viti i ardhshëm.

“10 mijë familje të reja do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke nisur nga viti i ardhshëm. Kemi ambicien që deri në 2030 të dorëzojmë 55 mijë çelësa sipas të gjitha këtyre kategorive, ku shteti i gjendet pranë të gjithë atyre që meritojnë mbështetje për të pasur çatinë e tyre”, u shpreh kryeministri.

Rama mbron ndërtimin e kullave në Tiranë

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te ndërtimi i kullave në kryeqytet, duke kundërshtuar kritikat se zhvillimi i këtij sektori po sjell pasoja negative për qytetin.

Ai argumentoi se ndërtimet e reja gjenerojnë të ardhura për Bashkinë e Tiranës, përmes taksave dhe kontributeve që, sipas tij, përdoren edhe për financimin e strehimit social dhe shërbimeve publike.

“Ne nuk kemi ndërtuar ende shumë kulla sa të mendojmë për pasoja, por në ato pak të ndërtuara të ardhurat në buxhetin e bashkisë janë domethënëse. Të gjithë kur shohin një kullë apo një pallat të ri që ndërtohet, ta dinë se 3% e tyre janë për strehimin social dhe 8% taksë për qytetin”, tha Rama.

Sipas tij, heqja e këtyre të ardhurave do të kufizonte mundësitë e Bashkisë për të përballuar nevojat e qytetit për shërbime dhe investime.

Premtimi për 55 mijë banesa deri në vitin 2030 vjen në një kohë kur çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë vështirësuar gjithnjë e më shumë mundësinë e blerjes së një shtëpie për të rinjtë dhe familjet me të ardhura mesatare. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të konkretizohet skema, cilat do të jenë kriteret e përfitimit dhe ku do të ndërtohen banesat e parashikuara.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat