Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit Edi Rama pas qëndrimeve të tij në Samitin e Bashkimit Politik të Europës.
Berisha akuzoi Ramën se ka përdorur samitin për t’u tallur me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar një veprim të papërgjegjshëm dhe dëmprurës për imazhin e Shqipërisë dhe Europës.
“Dje shqiptarët, europianët dhe qytetarët e mbarë botës panë se kreu i organizatës kriminale të Tiranës është njëherazi edhe kloun ndërkombëtar. Edi Rama shfrytëzoi samitin e BE për të përqeshur presidentin e SHBA, konkretisht procesin e suksesshëm të paqes në Kaukaz. Kjo është kllounadë që e vazhdoi edhe në media, duke bërë të njëjtat deklarata,” u shpreh Berisha.
Ai e quajti Ramën “kukull të Xhorxh Sorosit” dhe shtoi se veprimet e tij janë “shërbimi më i keq që mund t’u bëjë shqiptarëve dhe Europës”.
Berisha kujtoi edhe deklaratat e Ramës të bëra më herët në forumin e Bledit në Slloveni, më 1 shtator 2025, ku kreu i qeverisë foli për nevojën e një Europe që të mos presë vendimet e SHBA për paqen në Ukrainë.
“Rama tha se Europa është kulturë e paqes dhe se nuk duhet të presë Amerikën. Por është hipokrizi të flasësh kështu, kur pikërisht Europa ka shkaktuar dy tragjeditë më të mëdha të njerëzimit: Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore,” tha Berisha.
Sipas tij, kryeministri po përdor forume ndërkombëtare për të forcuar pozitat e tij politike, por në fakt po dëmton interesat e vendit.



